Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë, të cilat kanë arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman. Operacioni policor u zhvillua në zonën e Stromerstraße, në perëndim të qytetit, pranë qendrës së hipodromit, ku ishte rrethuar ndërtesa e një banke.
Në aksion morën pjesë njësi speciale të armatosura rëndë, ekipe të urgjencës, paramedikë si dhe një helikopter policie. Ngjarja kishte nisur rreth orës , kur një person i armatosur me thikë sulmoi një burrë brenda bankës. Sipas mediave gjermane, viktima ishte punonjës i bankës, i cili fillimisht u dërgua në spital me plagë të rënda, por më pas ndërroi jetë.
Policia ka nisur hetimet për dyshimet për vrasje. Autoritetet bënë të ditur se dy persona u evakuuan nga ndërtesa, ndërsa në fazat e para të operacionit nuk ishte e qartë nëse kishte persona të tjerë brenda objektit, përveç të dyshuarit. Policia dyshon se i riu ka vepruar i vetëm dhe po heton edhe mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me një grabitje.
Para arrestimit, ekipet negociatore tentuan të vendosnin kontakt me 20-vjeçarin, por përpjekjet nuk dhanë rezultat. Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
