Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar një analizë lidhur me situatën meteorologjike dhe përditësimin e parashikimit të motit për periudhën 20–.
Sipas IHMK-së, njoftimi përfshin analizën e kushteve atmosferike gjatë kësaj periudhe, të dhënat e regjistruara nga Rrjeti Shtetëror Meteorologjik i Kosovës, si dhe bazën shkencore dhe standardet ndërkombëtare mbi të cilat hartohen parashikimet dhe paralajmërimet meteorologjike.
Instituti ka sqaruar gjithashtu natyrën dinamike të stuhive konvektive dhe mënyrën e lëshimit të paralajmërimeve, duke theksuar se ato bazohen në praktikat e Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe sistemit MeteoAlarm.
IHMK thekson se mbetet i përkushtuar në ofrimin e informacioneve të sakta, të besueshme dhe në kohë, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe aktiviteteve ekonomike.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar një sqarim të detajuar lidhur me situatën meteorologjike dhe paralajmërimet e lëshuara për periudhën 20–, duke theksuar se stuhitë që përfshinë vendin ishin pjesë e një sistemi të gjerë konvektiv që u zhvillua në Evropën Juglindore.
Sipas IHMK-së, sistemi atmosferik u formua fillimisht mbi Alpet Dinarike dhe Bosnjë e Hercegovinë, për t’u zhvendosur më pas drejt Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Instituti thekson se relievi malor i Kosovës ndikoi në fuqizimin lokal të stuhive, të cilat u shoqëruan me erëra të forta, reshje intensive shiu, rrufe dhe breshër.
Nga matjet e Rrjetit Shtetëror Meteorologjik rezulton se shpejtësia më e madhe e erës është regjistruar në Bajgorë, ku arriti në 28.2 metra në sekondë, përkatësisht 101.5 kilometra në orë. Erëra të fuqishme janë regjistruar edhe në Suharekë me 85.7 km/h dhe në Istog me 80.3 km/h, duke hyrë në kategorinë “Stuhi” sipas shkallës Beaufort.
IHMK bën të ditur se intensiteti i reshjeve shkaktoi vërshime të shpejta lokale, dëmtime në pemë, infrastrukturë, ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe dëme në kultura bujqësore në disa zona të vendit.
Në njoftim, Instituti sqaron se paralajmërimet meteorologjike hartohen sipas standardeve të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe sistemit MeteoAlarm, ndërsa thekson se për shkak të natyrës dinamike të atmosferës nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi absolute vendi dhe intensiteti i çdo stuhie.
Po ashtu, IHMK thekson se Kosova ende nuk disponon radar meteorologjik për monitorim në kohë reale të stuhive, ndërsa paralajmërimet bazohen në modele numerike, të dhëna nga rrjeti i stacioneve automatike dhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare.
Instituti ka reaguar edhe ndaj, siç i cilëson, komenteve dhe interpretimeve joprofesionale të publikuara ditët e fundit nga individë dhe media të caktuara, duke vlerësuar se ato kanë shkaktuar konfuzion dhe kanë cenuar besimin e qytetarëve. IHMK rithekson se është institucioni i vetëm përgjegjës për lëshimin e paralajmërimeve zyrtare hidrometeorologjike në Kosovë.
