Malisheva ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj gjigantit skocez Hibernian. Edhe pse nuk shihej si favorit, nikoqirët triumfuan me rezultat 2-0, sfidë ku Hibernian assesi s’e tregoi nivelin e tyre. Kreshnik Uka e kaloi Malishevën në epërsi pas një aksioni të shpejtë, ku mori një asistim të bukur nga Veliu (21’).
Hibernian pastaj kishte disa raste të shënonte sidomos një mundësi përmes Lowe, i cili dështoi përballë Avdylit në rastin një kundër një. Kur skocezët po sulmonin, Malisheva zhvilloi një kundërsulm me Ukën që ishte heroi sërish, këtë herë duke asistuar te Valmir Nafiu i cili vulosi fitoren (90’).
Kësisoj, Malisheva regjistron një triumf jashtëzakonisht të madh dhe i afrohet avancimit tutje, me ndeshjen kthyese që do të zhvillohet javën tjetër./ Telegrafi
