Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë e tij. Rasti ka ndodhur në oborrin e një stani, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Telegrafin se i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është duke u intervistuar nga policia. Tragjedi në Bjeshkën e Strellcit, djali dyshohet se aksidentalisht vrau babanë “Dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me të gjitha njësitet relevante policore.
Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe aktualisht është duke u intervistuar nga policia. Ky rast është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, ka deklaruar Nikçi.
Sipas tij, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ndërsa pritet që njësitë përkatëse të bëjnë tërheqjen e trupit të viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion. Për tragjedinë e rëndë ka reaguar edhe kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Shpend Hasanramaj nga Strellci i Epërm, i cili humbi jetën në një ngjarje të rëndë aksidentale.Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Hasanramaj, të afërmve, miqve dhe të gjithë banorëve të Strellcit të Epërm.Lutem që Zoti t’ju japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar Ramosaj./ Telegrafi
