E ardhmja e udhëheqjes dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të përcaktohet në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, por deri tani nuk është bërë publike data e këtij zhvillimi të rëndësishëm për këtë subjekt dhe jo vetëm. Pas nismës së delegatëve për thirrjen e Kuvendit dhe dorëzimit të nënshkrimeve të nevojshme, brenda LDK-së po “ziejnë” zërat drejtimin e ardhshëm të saj.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga strukturat drejtuese të LDK-së për të kuptuar se kur pritet të thirret Kuvendi i Jashtëzakonshëm dhe cilat janë hapat e radhës, por asnjëri prej të paktën 5 zyrtarëve të lartë të partisë nuk kanë kthyer përgjigje.
Por, ata që po kërkojnë një rishikim të mënyrës së udhëheqjes së LDK-së pas rezultatit të fundit zgjedhor më 7 qershor nuk po heshtin. Delegatja e Kuvendit të Lidhjes Demokratike, Shqipe Pantina, thotë për KosovaPress se partia ka nevojë për ndryshim të lidershipit dhe të qasjes politike, me qëllim që të rikthehet si subjekt fitues në nivel vendi.
Ajo ka vlerësuar se thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm është pasojë e mungesës së reflektimit pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe mosmarrjes së përgjegjësisë për rezultatin e këtyre votimeve nga kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.
Pantina: LDK-ja ka nevojë për një ndryshim të lidershipit “Cili do që të jetë vendimi, besoj se duhet dhe do të respektohet, besoj se duhet dhe do të respektohet nga të gjitha strukturat e LDK-së. Unë mendoj se në LDK ka nevojë për një ndryshim të lidershipit dhe strategjisë së partisë në mënyrë që LDK-ja të kthehet si parti fituese dhe të drejtoj institucionet e vendit…
Nëse tani nuk është momenti i duhur, kur do të ishte ai moment? Ky moment ka rrjedh si pasojë e zgjedhjeve të përgjithshëm, ku edhe në dhjetorin e vitit të kaluar kishim të njëjtin proces, dallimi ishte që zotëri Abdixhiku e ofroi dorëheqjen.
Kurse kësaj radhe ajo çka i nxiti delegatët të mbledhin nënshkrimet për ta zgjedhur kuvendin ishin mosgatishmëria e zotëri Abdixhiku për të reflektuar dhe për të dhënë përgjegjësinë për rezultatin e dobët zgjedhor”, thekson ajo.
Në anën tjetër, ish-kandidati nga diaspora për deputet nga LDK-ja, Niq Krasniqi, thekson se mbledhja e nënshkrimeve nga delegatët e bën të pashmangshme mbajtjen e Kuvendit, duke u bazuar në Statutin e partisë.
Ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet me bashkëpunim mes strukturave të partisë, duke theksuar se mbledhia e madhe duhet të sjellë një epilog për udhëheqjen e partisë, qoftë përmes rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut, ose zgjedhjes së një kryetari të ri.
Krasniqi: Të thirret sa më shpejt Kuvendi, duhet të mbizotërojë kultura e bashkëpunimit “Vet procedura e mbledhjes së nënshkrimeve dhe dorëzimi i tyre sipas statutit të LDK-së e bën të domosdoshme mbajtjen e Kuvendit. Kjo është kërkesë e anëtarësisë dhe elektoratit që përfaqëson kjo anëtarësi. Kjo procedurë tashmë duhet të japë epilogun e vet dhe Kuvendi duhet të mbahet….
Kultura e bashkëpunimit duhet të mbizotërojë edhe në kuvendin e jashtëzakonshëm dhe kjo është pika bazike sa i përket procesit. Kurse për epilogun, ky kuvend duhet të prodhojë një situatë. Nga ky kuvend nuk duhet të dilet pa një kryetar, qoftë rikonfirmim i kryetarit Abdixhikut ose qoftë për të zgjedhur një kryetar tjetër”, thekson Krasniqi.
Ata që nuk po e duan më Abdixhkun në krye të partisë janë duke propozuar emra tjerë për këtë pozitë. Shqipe Pantina ka përmendur nënkryetarin Lutfi Hazirit si një figurë që, sipas saj, mund ta udhëheqë LDK-në në periudhën aktuale dhe të bashkojë strukturat e fragmentuara të partisë.
Pantina: Lutfi Haziri do të ishte personi i duhur për ta udhëhequr LDK-në në këtë fazë “Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka njerëz që do ta drejtonin partinë, që do të mund t’i bashkonin të gjitha strukturat dhe grupat që, për fat të keq, ka fragmentizim dhe të punohet si ekip…
Në rrethanat çfarë jemi aktualisht, unë mendoj se Lutfi Haziri do të ishte një person i duhur për ta drejtuar LDK-në, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme dhe pastaj të jetë gara e hapu r”, potencon ajo.
Kërkesa për votëbesim ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin e dobët të subjektit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Para nisjes së kësaj procedure, brenda Lidhjes ishte kërkuar dorëheqja e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, por ai e kishte refuzuar një mundësi të tillë, duke e cilësuar si të papranueshme ndërsa kishte kërkuar që dy nismëtarët e kësaj ideje, Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmeti të ikin nga LDK.
Në këto zgjedhje, Lidhja Demokratike ka siguruar 16.69 për qind të votave, që përkthehet në 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Sipas Statutit të këtij subjekti, nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit nuk sjellin shkarkimin automatik të kryetarit, por vetëm mundësojnë hapjen e procedurës për shqyrtimin e votëbesimit ndaj tij.
Kuvendi i LDK-së, sipas përbërjes statutare, ka gjithsej 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve të partisë, ku përfshihet edhe kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit, në janar të këtij viti, i kishte “mbijetuar” një proces të votëbesimit në Kuvend, që ishte thirrur pas rezultatit jo të kënaqshëm të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur LDK ra në rreth 13.5 për qind të votave në nivel vendi.
