Protestuesit shkundin kastën politike: Nuk kemi opozitë, opozita jemi ne

0%

“Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne!” Kj o ishte një nga thirrjet më të forta të artikuluara nga podiumi i protestës që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku për të 17-ën ditë me radhë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur për të kundërshtuar qeverinë dhe klasën politike. Mes pankartave, thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritikave ndaj opozitës tradicionale, organizatorët deklaruan se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga partitë politike dhe se protesta po merr rolin e opozitës reale në vend. “Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne” , u tha nga podiumi, mes duartrokitjeve të protestuesve. Lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gjatë javëve të fundit në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë, por edhe kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë si dështim të gjithë klasës politike. Në tubimin e sotëm nuk munguan as thirrjet që janë bërë tashmë simbol i protestës, si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, apo “Rama në burg, Berisha në burg”. Organizatorët theksuan se protestës po i bashkohen çdo ditë qytetarë të rinj, ndërsa mbështetje po vjen edhe nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë. Pas më shumë se dy javësh tubime të përditshme, protestuesit këmbëngulin se lëvizja nuk do të ndalet dhe se synimi i tyre mbetet rritja e presionit qytetar ndaj qeverisë dhe elitës politike që, sipas tyre, ka humbur lidhjen me problemet reale të njerëzve.

Burimi: Bota Sot