Shpërndaje në: Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të enjten se marrëveshja nukleare e nënshkruar me Arabinë Saudite të mërkurën, nuk parasheh pasurim të uraniumit. Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka vënë një kusht të ri për marrëveshjen, vetëm një ditë pasi u njoftua se është nënshkruar.
“Marrëveshja Civile Bërthamore (Nuk do të ketë pasurim të materialit!) që po bëhet midis Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, e cila ka të bëjë vetëm me përdorimin jo-ushtarak, siç janë ato që Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (dhe të tjerët) tashmë i kanë, do të miratohet, por është plotësisht e varur nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.
Të mërkurën, Sekretari i Energjisë, Chris Ëright, dhe homologu i tij saudit kanë nënshkruar marrëveshjen, e cila i siguron Arabisë Saudite një program bërthamor civil. Ajo tashmë ka shkaktuar kritika nga zyrtarët izraelitë dhe pritet të tërheqë vëmendjen në Capitol Hill.
Arabia Saudite më parë ka qenë rezistente ndaj përpjekjeve për t’u bashkuar me Marrëveshjet e Abrahamit, një përpjekje e filluar gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe e zgjeruar gjatë mandatit të tij të dytë për të vendosur lidhje diplomatike midis Izraelit dhe fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme.
