Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas vendimit për dekretimin e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Reagimi vjen pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar dorëheqjet e prokurorëve serbë, pas refuzimit të kthimit të tyre në sistem nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në deklaratën e saj, Ambasada britanike ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit dhe ka bërë thirrje për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë. Sipas ambasadës, Marrëveshja për Drejtësinë e vitit 2015 kishte synuar integrimin e strukturave të veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të vendit, duke garantuar përfaqësim për komunitetin serb.
“Dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 ishin një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës. Mbretëria e Bashkuar ka theksuar se integrimi i komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e sundimit të ligjit.
Ambasada ka kërkuar që të vazhdojnë përpjekjet për një sistem drejtësie shumetnik dhe gjithëpërfshirës në Kosovë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
