Neymar ka reaguar pas kritikave që mori për pjesëmarrjen në një turne pokeri, në një kohë kur Santosi e zhvillonte një ndeshje të rëndësishme në Copa Sudamericana. Ylli brazilian e publikoi një mesazh në rrjetet sociale, duke e shoqëruar fotografitë nga tavolina e pokerit me fjalët: “Life is a joke” (“Jeta është një shaka”).
Sulmuesi 34-vjeçar nuk udhëtoi me skuadrën e Santosit në Venezuelë për përballjen ndaj Universidad Central, pasi klubi kishte vendosur që ai ta ndiqte një program të veçantë për rikthimin në formën fizike pas angazhimeve me Brazilin në Kupën e Botës 2026, shkruan “beIN SPORTS ”.
Megjithatë, fakti që Neymar u shfaq në një turne pokeri në São Paulo pikërisht në ditën e ndeshjes së Santosit shkaktoi reagime të shumta nga tifozët dhe opinionistët, të cilët e vunë në dyshim përkushtimin e tij ndaj ekipit. Neymar zgjodhi të mos hyjë në debat direkt, por iu përgjigj kritikave me stilin e tij karakteristik, dukee publikuar një mesazh të shkurtër dhe pozitiv.
Shprehja “Life is a joke” është një frazë që braziliani e ka përdorur edhe më herët, duke nënkuptuar se ai preferon ta jetojë jetën me më pak presion dhe ta shijojë atë.
Pjesëmarrja e tij në poker erdhi vetëm pak ditë pasi Neymar u rikthye te Santos pas pushimeve dhe pas përfundimit të aventurës së Brazilit në Kupën e Botës 2026, ku ai njoftoi gjithashtu se e kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren braziliane.
Santos ndërkohë vazhdon të llogarisë te rikthimi i tij në fushë, pasi eksperienca dhe cilësitë e Neymarit mbeten një faktor i rëndësishëm për skuadrën braziliane.
