Protestë para Kuvendit të Shqipërisë, raportohet për dy policë të

0%

Derisa në parlamentin e Shqipërisë po mbahet seanca e fundit plenare për këtë sesion, jashtë mureve të tij situata është tensionuar, teksa protestuesit kanë bllokuar rrugët afër parlamentit.

Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, dy punonjës të policisë janë lënduar jashtë oborrit të parlamentit, pas incidentit ku janë dëgjuar shpërthime të shkaktuara nga lëndë plasëse të llojit kapsollë, të cilat janë hedhur nga protestuesit në drejtim të perimetrit të sigurisë. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e deputetëve dhe të kryeministrit Edi Rama.

Kjo është dita 54 e protestave në Shqipëri. Protestuesit fillimisht kundërshtuan ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec të Vlorës të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner – protesta që janë zgjeruar me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të tjerëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Euronews raporton se në përpjekje për të paralizuar plotësisht lëvizjen e mjeteve në këtë arterie kryesore të kryeqytetit, pjesëmarrësit në protestë kanë tërhequr koshat e mbeturinave dhe i kanë vendosur mes për mes rrugës, duke ndërprerë qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë u raportua se disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe tentuan të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt objektit të Kuvendit. “Mësohet se lëndët plasëse kanë rënë jashtë oborrit të Kuvendit, ku ndodhen të pozicionuar efektivët e rendit.

Menjëherë pas shpërthimeve, forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë për të zmbrapsur turmën dhe për të neutralizuar tensionet, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar”- raporton Euronews. Para se të nisë seanca u raportua se protestuesit e mbledhur që prej dy orësh kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ndaj policisë.

Këta të fundit më pas janë kundërpërgjigjur me ujë. Kjo, sipas raportimeve të mediave, ka sjellë për disa minuta shpërndarjen e protestuesve të cilët më pas janë rimbledhur para Kuvendit. Sali Berisha në një deklaratë për media para se të hyjë në Kuvend ka kërkuar shpërndarjen e këtij institucioni, duke e cilësuar si hapin e nevojshëm për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re politike.

“I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjidhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë. Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë. Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti. Ky është i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot”- tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Socialist, Taulant Balla ka ndarë një video të një efektivi policie të lënduar nga sulmet e protestuesve. Polici shihet i gjakosur në kokë, ndërsa Balla e quan protestën “terrorizëm.” “Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit.

Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”- Sipas mediave në Shqipëri, rendi i ditës për seancën pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.

Intenerari i protestave të lëvizjes së quajtur si “Revolucioni i Flamingove” që ka mbushur rrugët e kryeqytetit që gati dy muaj fillon me grumbullimin e qytetarëve në sheshin Skënderbej, duke vijuar përpara Kryeministrisë, e më pas ndjek rrugë të ndryshme kryesore të qytetit.

Burimi: Kallxo