​Akuzat për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, FIFA lëshon deklaratë

0%

FIFA ka hedhur poshtë pretendimet për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026, duke bërë të ditur se Task Forca për Integritetin nuk ka gjetur asnjë provë që të tregojë për kurdisje apo aktivitete të dyshimta bastesh gjatë turneut.

Sipas deklaratës zyrtare, grupi i përbërë nga ekspertë të FIFA-s, FBI-së, INTERPOL-it, Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Këshillit të Evropës dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Integritetit të Basteve monitoroi në kohë reale tregjet e basteve dhe zhvillimet në fushë përgjatë të gjitha 104 ndeshjeve të turneut.

“Bazuar në informacionin e mbledhur dhe të analizuar gjatë gjithë garës, Task Forca nuk identifikoi asnjë aktivitet të dyshimtë bastesh ose tregues të manipulimit të ndonjë ndeshjeje”, thuhet në deklaratën e FIFA-s. Organizata shtoi se të gjitha raportet dhe informacionet e mbledhura u analizuan dhe u shkëmbyen mes anëtarëve të Task Forcës sipas procedurave operative të përcaktuara.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Deklarata vjen pas polemikave që shoqëruan Botërorin, veçanërisht pas eliminimit të Egjiptit, kur Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi përjashtimin e ekipit të arbitrave të ndeshjes ndaj Argjentinës, ndërsa trajneri Hossam Hassan akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit.

Më vonë, edhe një pëlqim nga llogaria e Cristiano Ronaldos në Instagram ndaj një postimi që akuzonte FIFA-n për korrupsion shtoi debatet në opinion.

Menaxheri i Lartë i Integritetit në FIFA, Liam Rich, tha se Task Forca ofroi një mekanizëm të fuqishëm për shkëmbimin e informacionit dhe vlerësimin e çdo shqetësimi të mundshëm, duke theksuar se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra. Megjithatë, FIFA konfirmoi se dy procedura disiplinore mbeten ende të hapura ndaj Argjentinës.

Njëra lidhet me shfaqjen e banderolës “Las Malvinas son Argentinas” pas fitores në gjysmëfinale ndaj Anglisë, ndërsa tjetra me incidentet dhe përleshjet që ndodhën pas humbjes në finalen kundër Spanjës. Nëse konstatohet shkelje e Kodit Disiplinor të FIFA-s, sanksionet mund të përfshijnë gjoba ose pezullime për personat e përfshirë.

Burimi: Bota Sot