Nga: BBC Përktheu:
Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Anya, një nga ish-asistentet e Jeffrey Epstein, rrëfen për herë të parë se si u manipulua, u izolua dhe u mbajt nën kontroll për vite me radhë. Ajo tregon se si premtimet për një karrierë si modele u shndërruan në një rrjet abuzimi, kërcënimesh dhe varësie psikologjike.
Një javë pasi financieri Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, vdiq, Anya (emër i ndryshuar) hapi derën e apartamentit të saj në Nju Jork.
Para saj ishte vëllai i Epstein, Mark Epstein, i cili, sipas saj, i tha se duhej të largohej menjëherë nga banesa. (Mark Epstein ka mohuar se kishte dijeni për abuzimet e vëllait të tij.) Për vite me radhë, Anya kishte jetuar në një nga apartamentet në East 66th Street, në Manhattan. Këto banesa përdoreshin nga Jeffrey Epstein për të strehuar gra që ai më pas i abuzonte seksualisht.
Në një çast, ajo humbi shtëpinë, por njëkohësisht arriti të largohej nga një makth që kishte zgjatur me vite. “Ende e kam të vështirë ta pranoj se jam abuzuar për kaq gjatë”, thotë Anya. “Nuk isha e lidhur me zinxhirë dhe as e mbyllur në një bodrum. Por zinxhirët ishin të padukshëm. Ata ekzistonin dhe më mbanin nën kontroll”.
Sipas saj, Epstein shpesh thoshte se sistemi që kishte ndërtuar ishte “si një kult, dhe ai ishte udhëheqësi i tij”. Anya i ka treguar BBC-së për jetën e saj si një nga “asistentet” e Epsteinit. Ajo shpjegon se si ai arriti të mbante nën kontroll shumë prej viktimave të tij për vite me radhë.
Edhe Botë 1 muaj më parë Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës “Asistentet” ishin një grup grash – rreth dymbëdhjetë në të njëjtën kohë, sipas Anyas. Ato jetonin në banesat e Epsteinit, punonin në çdo orë të ditës sipas urdhrave të tij dhe shpesh ishin viktima të abuzimit seksual.
Anya tregon se në fillim gratë josheshin me premtime për punë dhe një jetë më të mirë. Më pas, Epstein fillonte t’i kontrollonte gradualisht në pothuajse çdo aspekt të jetës. Ai përfitonte nga dobësitë e tyre dhe i bënte gjithnjë e më të varura prej tij. Sipas saj, ai kontrollonte paratë e tyre, vendoste me kë mund të takoheshin dhe i poshtëronte vazhdimisht psikologjikisht.
Ai ishte i fiksuar edhe pas pamjes së tyre fizike. Anya thotë se ai e detyroi të kryente një ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme, e cila i la pasoja të përhershme në trup. Përvoja e Anyas mbështetet edhe nga Sarah Kellen, një tjetër ish-asistente e Epstein.
Gjatë dëshmisë së saj para Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ajo tha se Epstein paraqitej si njeriu që do t’i shpëtonte dhe do t’u zgjidhte problemet. “Ai ishte shumë i aftë të shkatërronte aftësinë tënde për të marrë vendime vetë dhe për të ruajtur pavarësinë. Me kalimin e kohës bëheshe gjithnjë e më e varur prej tij”, tha ajo. Sipas Dr.
Tara Quinn-Cirillo, psikologe klinike që ka punuar me viktima të kontrollit detyrues, ekziston një paragjykim se vetëm fëmijët bien pre e manipulimit të tillë. Në të vërtetë, edhe të rriturit mund të manipulohen dhe të kontrollohen në të njëjtën mënyrë.
“Edhe një i rritur mund të bjerë pre e një procesi të tillë manipulimi, sidomos kur ndodhet në një situatë të vështirë ose të pambrojtur”, shpjegon ajo. Një proces i gjatë manipulimi Ky ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë manipulimi, që zgjati për shumë muaj. Jeffrey Epstein e mbajti Anyan me shpresa të rreme dhe premtime që nuk kishte ndërmend t’i mbante.
Për gati një vit, Anya thotë se ushtrohej çdo ditë me përkushtim për të arritur pamjen fizike që kërkonte Epstein. Lesley Groff, asistentja e tij ekzekutive që menaxhonte agjendën e tij, i dërgonte vazhdimisht email duke kërkuar informacion për përparimin e saj. Ndërkohë, Epstein i kërkonte vazhdimisht fotografi dhe i thoshte të mos ishte “e turpshme” kur i kërkonte t’i dërgonte foto nudo.
Më në fund, Epstein organizoi një takim mes Anyas dhe Faith Kates, bashkëthemeluese e agjencisë së modeleve Next Management, ashtu siç i kishte premtuar. Sipas Anyas, takimi zgjati më pak se 30 minuta dhe në fund iu tha se rezultatin do t’ia komunikonte vetë Epstein. Më pas, Epstein i tha se agjencia nuk dëshironte ta pranonte, sepse “nuk ishte mjaftueshëm e mirë për tregun e Nju Jorkut”.
Ai shtoi gjithashtu se ajo “nuk ishte në formë fizike”. Anya thotë se u ndie e zhgënjyer dhe humbi besimin te vetja. Pikërisht atëherë, Epstein e ftoi ta vizitonte në Palm Beach të Floridës, ku ai po vuante dënimin, por lejohej të dilte gjatë ditës. Sipas saj, ai justifikohej duke thënë se ishte dënuar sepse një vajzë e kishte mashtruar duke përdorur një dokument identiteti të rremë.
Për ta takuar, Anya duhej të regjistronte emrin në një regjistër që mbahej nga një polic me uniformë. Pasi hyri brenda, Epstein e çoi në një dhomë në pjesën e pasme të ndërtesës, ku, sipas saj, e abuzoi seksualisht për herë të parë. Të paktën edhe dy gra të tjera kanë deklaruar se Epstein i kishte abuzuar seksualisht gjatë kohës që po vuante dënimin.
Pas abuzimit, Epstein e nxori nga dhoma dhe, sipas Anyas, nisi të bënte shaka me asistentet e tjera që prisnin jashtë, duke thënë se ajo ishte “shumë e turpshme”. Ato qeshën dhe kjo e bëri Anyan të fajësonte veten. “Nisa të mendoja se ndoshta nuk kishte ndodhur asgjë e gabuar. Ndoshta problemi ishte reagimi im”, kujton ajo.
“Mendoja se ndoshta ishte mënyra si isha rritur në Rusi, ose fakti që prindërit e mi kishin qenë shumë të rreptë. Besoja se diçka nuk shkonte me mua, jo me të”. Vetëm pasi u publikuan dokumentet e çështjes Epstein, Anya thotë se e kuptoi se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.
Nga emailet e publikuara rezultonte se, megjithëse ajo ishte takuar personalisht me Faith Kates, kjo e fundit e kishte refuzuar si kandidate për modele që një vit më parë. Në atë moment, Anya kuptoi se Epstein e kishte mbajtur me shpresa të rreme për muaj të tërë dhe se gjithçka kishte qenë pjesë e një plani të menduar me kujdes për ta manipuluar.
Kur ajo ishte bërë emocionalisht e pambrojtur, e izoluar dhe larg familjes, ai kishte përfituar nga situata. Sipas psikologes klinike Tara Quinn-Cirillo, ky lloj manipulimi i ngadaltë dhe i vazhdueshëm është krijuar pikërisht për të mos zgjuar dyshime apo ndjenjën e rrezikut te viktima. “Është si një avion i padukshëm që kalon pa u vënë re nga radarët”, shpjegon ajo.
Avokati i Faith Kates deklaroi se çdo pretendim se klientja e tij kishte dijeni ose ishte përfshirë në trafikimin seksual të kryer nga Epstein është i pavërtetë dhe shpifës. Sipas tij, pretendimi se ishte Epstein ai që do t’i komunikonte Anyas vendimin e agjencisë është “i pazakontë, i pavërtetuar dhe pa prova mbështetëse”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Next Management merrte vendimet e saj në mënyrë të pavarur për pranimin ose refuzimin e modeleve dhe nuk kërkonte miratimin e Epstein për këto vendime. Kompania shtoi se është krejt normale që një modele e mundshme të shqyrtohet dhe të refuzohet nga një agjenci, madje edhe më shumë se një herë.
Në një reagim tjetër, Next Management deklaroi se kompania nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie me Jeffrey Epstein dhe se çdo veprim i pretenduar i Faith Kates ishte përgjegjësi personale e saj. “Eja të punosh për mua” Edhe më pas, Epstein vazhdoi t’i premtonte Anyas një karrierë si modele. Ai e prezantoi me Jean-Luc Brunel, themeluesin e agjencisë MC2.
Anya thotë se Epstein nuk i tregoi se ishte një nga financuesit e kësaj agjencie. (Zyrat e MC2 në Miami dhe Nju Jork janë mbyllur. Themeluesi i degës që vazhdon të funksionojë në Izrael ka deklaruar më herët se nuk kishte asnjë lidhje me Epstein.) Sipas Anyas, nga kjo agjenci erdhën “pothuajse fare” oferta pune.
Agjenti i saj i thoshte se do të shkonte në Palm Beach për një punë të drejtpërdrejtë si modele. Por, kur mbërrinte atje, nuk kishte asnjë sesion fotografik. Në vend të tij, Epstein e abuzonte përsëri seksualisht. Pas një kohe, Epstein i tha se modelingu nuk ishte rruga e duhur për të. Ai i tha se industria kishte rënë dhe nuk kishte më mundësi. Pastaj i bëri një ofertë tjetër.
“Eja të punosh për mua. Do të të mësoj biznesin e vërtetë. Do të udhëtosh dhe do të takosh njerëz të rëndësishëm në gjithë botën”. Por puna si asistente nuk ishte ajo që kishte imagjinuar Anya. Ajo thotë se Epstein nuk i mësoi asgjë për biznesin. Shumicën e kohës ajo vetëm priste që ai t’i jepte ndonjë detyrë. Ndërkohë, ai e qortonte pse, sipas tij, nuk bënte asgjë.
Herë pas here i jepte punë të vogla. T’i përgjigjej telefonit. Të shoqëronte vizitorët në sallën e takimeve. Ose të njoftonte ardhjen e një mysafiri. Megjithatë, Anya thotë se asistentet duhej të ishin të gatshme 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Një ditë ajo doli për drekë për të takuar dikë. Sipas saj, Epstein u zemërua shumë.
Ai e telefonoi vazhdimisht dhe i tha se nuk mund të dilte nga shtëpia pa lejen e tij. Anya ishte plotësisht e varur prej tij. Nëse sëmurej dhe kishte nevojë për mjek, ai i thoshte: “Unë jam sigurimi yt shëndetësor”. Ajo nuk kishte llogari bankare. Nuk kishte as dokumentet e nevojshme për të marrë një banesë me qira.
Megjithatë, sipas saj, Epstein e nxori disa herë nga apartamenti në Manhattan dhe i thoshte: “Gjeje vetë ku do të rrish”. Për Anyan, këto ishin mënyra të qarta për ta mbajtur nën kontroll. Ajo tregon se Epstein nisi t’i paguante një rrogë të vogël vetëm pas disa vitesh. Arsyeja ishte se viza e saj e punës e kërkonte këtë. Ai i përsëriste shpesh: “Mos u shqetëso.
Unë do të kujdesem gjithmonë për ty”. Edhe Botë 11 muaj më parë “Gjenocidi është termi i vetëm që i përshtatet” Sipas saj, gjatë gjithë kësaj periudhe abuzimet seksuale vazhduan. Edhe Sarah Kellen përshkroi një situatë të ngjashme para ligjvënësve amerikanë. “Nuk kisha para. Nuk kisha familje pranë. Nuk kisha arsim. Madje nuk besoja se meritoja një jetë më të mirë”, tha ajo.
Ndërkohë, Epstein i tregonte vazhdimisht pushtetin dhe lidhjet e tij me njerëz të rëndësishëm. “Jeffrey u kujdes që ta kuptoja se, nëse do ta kundërshtoja, kjo do të më kushtonte jetën”, dëshmoi Kellen. “Ti nuk do të guxosh kurrë të dalësh kundër meje” Në një rast, një nga asistentet u arratis. Kështu kujton Anya. Sipas saj, gruaja e telefonoi gjatë arratisjes.
Kjo e frikësoi, sepse Epstein ishte pronar i telefonave të tyre dhe kontrollonte telefonatat. Anya thotë se Epstein punësoi një hetues privat për ta gjetur gruan. Ai madje i tregoi një email ku llogariteshin shpenzimet që, sipas tij, ajo i kishte borxh. Shuma arrinte në 700 mijë dollarë. Mesazhi ishte i qartë. “Nëse largohesh, do të më detyrohesh para.
Dhe unë do të të gjej kudo për t’i marrë”. Por ky nuk ishte mjeti i vetëm i kontrollit. Anya thotë se Epstein mblidhte materiale komprometuese për gratë. Ai i kujtonte shpesh se kishte fotografi nudo të saj. Një herë, ai mblodhi të gjitha asistentet për një fotosesion. I nxiti të hiqnin bluzat dhe të kërcenin të buzëqeshura. U tha se gjithçka po filmohej.
Anya kujton se ai u tha: “Kështu e di që nuk do të dilni kurrë kundër meje”. Sipas saj, ai nënkuptonte se, nëse do ta denonconin, mund ta përdorte videon për të pretenduar se gjithçka kishte ndodhur me pëlqimin e tyre. “Ky ishte arkivi i tij i provave”, thotë ajo. Epstein i detyronte gjithashtu asistentet t’i shkruanin letra falënderimi.
Ato duhej ta falënderonin me fjalë të ngrohta, pavarësisht se ai ishte abuzuesi i tyre. “Kisha aq shumë frikë sa mendoja se nuk po e falënderoja mjaftueshëm”, kujton Anya. Ajo beson se edhe këto letra ishin një mënyrë tjetër kontrolli. “Nëse ti më falënderon vazhdimisht, si mund të dalësh më pas kundër meje?”. Sipas saj, Epstein i vinte gratë kundër njëra-tjetrës.
Ai i thoshte se një asistente tjetër ishte e zemëruar me të, sepse ishte “e padobishme” dhe “dembele”. Më pas shtonte se vetëm ai e mbronte dhe ishte “mbështetësi i saj më i madh”. Në këtë mënyrë, gratë nuk krijonin besim mes tyre. Kjo e bënte më të lehtë kontrollin e tyre. Gjatë bisedës me BBC-në, Anya ngriti bluzën dhe tregoi disa plagë në bark.
Më pas tregoi fotografi të vjetra nga koha kur punonte si modele. Në to dukej një tatuazh i vogël, të cilin e kishte bërë që adoleshente. Sipas saj, Epstein donte që tatuazhi të hiqej. Një mjek erdhi në shtëpinë e tij për ta kryer procedurën. Por Epstein nuk donte trajtim me laser, sepse do të zgjaste shumë.
Në vend të kësaj, ai propozoi që mjeku të priste pjesën e lëkurës ku ndodhej tatuazhi. “Vetëm unë mund ta mendoj një gjë të tillë”, kujton Anya t’i ketë thënë ai. Ajo thotë se iu nënshtrua operacionit. Ndërhyrja i la shenja të dukshme. Një vit më vonë, Epstein e detyroi ta përsëriste procedurën, sepse nuk ishte i kënaqur me rezultatin.
Një rrjet i tërë abuzimi Anya thotë se pjesa më e rëndë e përvojës së saj ishte detyrimi për të rekrutuar gra të tjera. Teksa flet për këtë, sytë i mbushen me lot. Sipas saj, çdo asistente duhej të sillte të paktën një vajzë tjetër. Epstein u kërkonte të gjenin gra të reja, njësoj siç kishte qenë edhe ajo. “Qoftë edhe një, apo dhjetë.
Në momentin që e bën, ndihesh pjesë e asaj që po ndodh”. Anya thotë se vendosi të fliste publikisht për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se si shumë gra ranë në kurthin e Epsteinit. Ajo dëshiron të tregojë se rrjeti i tij nuk shfrytëzonte vetëm të mitura, por edhe gra të rritura. “Ai krijoi një sistem të tërë abuzimi që funksiononte vetëm për interesat e tij”, thotë ajo.
“Kur sheh njerëz me ndikim, si Bill Gates, që shkojnë në shtëpinë e tij për darkë dhe i shtrëngojnë dorën, fillon të pyesësh veten: kush jam unë që ta vë në dyshim? Kush jam unë që të flas? Kjo i jepte legjitimitet asaj që po ndodhte”. Si Anya, ashtu edhe Sarah Kellen, kanë marrë më vonë dëmshpërblim nga Fondi i Kompensimit për Viktimat e Jeffrey Epsteinit.
Ky fond u krijua për të mbështetur financiarisht të mbijetuarat. Për të përfituar, ato duhej të paraqisnin prova që mbështesnin dëshmitë e tyre. “Sa ishte gjallë, nuk i tregova askujt për atë që më kishte ndodhur”, thotë Anya. Sot ajo shpreson që historia e saj të ndihmojë qoftë edhe një grua të largohet nga një marrëdhënie abuzive.
Edhe Botë 25 min. më parë Houthit sulmojnë dy anije saudite në Detin e Kuq, SHBA-ja vazhdon sulmet ndaj Iranit “Unë nuk jam aspak e veçantë”, thotë ajo. “Thjesht gjeta forcën për të vazhduar dhe për të mbijetuar. Nëse unë ia dola, mund t’ia dalësh edhe ti”.
