Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë pjesë në ceremoninë e kthimit të mbetjeve mortore të ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë luftimeve në Lindjen e Mesme. Në Bazën Ajrore të Doverit në Delaware, Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nderuan katër pjesëtarët e forcave amerikane që humbën jetën gjatë konfliktit të vazhdueshëm me Iranin.
Presidenti amerikan u takua me familjarët e viktimave dhe tha se ushtarët e rënë kishin shërbyer për një qëllim të madh, duke përmendur përpjekjet për të penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Në mesin e ushtarëve të vrarë ishin togeri Tyler James Feehan, ushtarja Isabella Gonzales, rreshteri Angel Rampersad dhe rreshteri Michael Emmanuel Swinton.
Sipas Pentagonit, dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë plagosur që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit në rajon, ndërsa shumica prej tyre janë rikthyer në detyrë. Trump bëri të ditur gjithashtu se administrata e tij do të publikojë rezultatet e hetimeve lidhur me sulmet ku humbën jetën ushtarët amerikanë.
Ceremonitë e kthimit të ushtarëve të rënë konsiderohen ndër momentet më të rëndësishme ushtarake në SHBA dhe zakonisht marrin pjesë presidenti ose zyrtarë të lartë të administratës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
