Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet. Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar nga hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit pas veprimeve intensive hetimore. Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për kryerjen e veprave penale.
Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingje të restoranteve gjatë ahengjeve dhe organizimeve familjare, ku kanë identifikuar automjete të pambyllura dhe më pas kanë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë. Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se të arrestuarit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por edhe në zona të tjera të Kosovës.
Hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit, në koordinim me njësitë hetimore të rajoneve të tjera dhe Prokurorinë, po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rasteve. Me vendim të prokurorit, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.
