Pesë organizata të shoqërisë civile që veprojnë në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës i janë drejtuar Bankës Botërore me kërkesë që të pezullojë çdo shqyrtim për mbështetje të re financiare, teknike apo institucionale për Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, derisa të kryhet një vlerësim i pavarur i veprimeve të saj në zonën e liqenit të Ujmanit.
Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), OJQ Aktiv, Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) shprehin shqetësim për, siç thonë, marrjen në posedim të kampit “Rezala”, rrënimin e shtëpive dhe vilave për pushime, kërcënimet për rrënime të tjera, si dhe shembjen e 11 objekteve, më 21 korrik.
Sipas tyre, këto veprime janë ndërmarrë pa vendime të shkruara dhe të arsyetuara, pa akte administrative ose gjyqësore të ekzekutueshme dhe pa u ofruar pronarëve mundësi efektive për ankimim para se të shkaktohej dëmi. Organizatat pretendojnë gjithashtu se Komuna e Zubin Potokut nuk është konsultuar për këto veprime.
Në letrën drejtuar Bankës Botërore, organizatat kujtojnë se “Ibër-Lepenci” ka qenë agjenci zbatuese e projektit “Kosovo Ëater Security and Canal Protection Project”, të financuar nga kjo bankë, dhe kërkojnë që çdo mbështetje e ardhshme të kushtëzohet me ndalimin e rrënimeve, rishikimin e veprimeve të deritanishme, respektimin e procedurave ligjore dhe krijimin e mekanizmave për përfshirjen e komunitetit lokal.
