Kapet në veri të Mitrovicës i kërkuari me të kaluar kriminale,

0%

Një 25 vjeçar me inicialet M.P, është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy automjeteve me gurë, ndërsa ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

Sipas Policisë, ai figuron gjithashtu si i dyshuar në 10 raste të tjera penale, përfshirë një rast të vrasjes, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.

“Me datë , Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë” , thuhet në njoftimin e Policisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Organet e rendit bëjnë të ditur se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut u arrestua, ndonëse tentoi sërish të ikte. “Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, njofton Policia.

Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, M.P. ka pranuar se i kishte dëmtuar automjetet. Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

“Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

Burimi: Bota Sot