Interesimi i Real Madridit për Michael Olisen nuk është më vetëm një thashethem i afatit kalimtar. Megjithatë, rruga drejt transferimit të sulmuesit të krahut nga Bayern Munichu vazhdon të jetë e mbushur me pengesa.
Raportimet e mëparshme kishin bërë të ditur se Olise dëshiron t’i bashkohet Real Madridit pas Kupës së Botës 2026, një dëshirë që u forcua edhe më shumë gjatë turneut, falë marrëdhënies së mirë që krijoi me bashkëlojtarin e Francës, Kylian Mbappen.
Gazeta gjermane Bild raportoi disa ditë më parë se Mbappe nuk u mjaftua vetëm duke i folur pozitivisht Olises për Real Madridin.Sulmuesi francez gjithashtu i ka përcjellë presidentit Florentino Perez dëshirën e yllit të Bayernit për të kaluar në Spanjë, duke theksuar se ai do të ishte një përforcim i rëndësishëm për projektin sportiv të klubit.
Duke komentuar këto zhvillime, Foot Mercato ka zbuluar se marrëveshja përballet me pengesën e parë: një ujdi të pashpallur mes Florentino Perezit dhe presidentit të Bayern Munichut, Herbert Hainer. Sipas kësaj marrëveshjeje, asnjëri prej dy klubeve nuk do të negociojë me një lojtar të klubit tjetër pa informuar më parë zyrtarisht drejtuesit përkatës.
“Për këtë arsye, Real Madridi deri tani nuk ka bërë kontakte zyrtare me Bayern Munichun, as me Olisen dhe përfaqësuesit e tij. Negociatat janë ende larg fazës së ofertave zyrtare”, shkruan medium francez. Nga ana tjetër, Bayern Munichu po punon për ta mbajtur futbollistin.
Klubi gjerman dëshiron t’ia zgjasë kontratën, e cila aktualisht skadon në verën e vitit 2029, ndërsa synon t’ia rrisë pagën vjetore nga rreth 14 milionë euro në afërsisht 25 milionë euro. Përveç aspektit financiar, Bayerni dëshiron ta bindë Olisen edhe me ambiciet sportive të klubit për vitet e ardhshme.
Zhvillim i papritur: Real Madridi gati të nënshkruajë me Rodrin Sipas raportimeve, Olise do të zhvillojë një takim me drejtuesit e Bayern Munichut pas rikthimit nga Kupa e Botës, për të dëgjuar më shumë rreth projektit të klubit përpara se të marrë vendimin përfundimtar. Këto bisedime pritet të përcaktojnë nëse 24-vjeçari do të kërkojë zyrtarisht largimin gjatë kësaj vere.
Florentino Perez e konsideron këtë hap një kusht të domosdoshëm përpara se të paraqesë një ofertë të madhe financiare për lojtarin, një premtim që presidenti i Real Madridit e kishte bërë edhe gjatë fushatës së tij të fundit elektorale./ Telegrafi
