Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar se aksioni shtetëror për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë bazohet në sundimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.
Ai ka thënë se operacioni po shtrihet në gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës, ndërsa fokus i fundit ka qenë zona përreth Liqenit të Ujmanit, ku janë evidentuar raste të shumta të ndërtimeve ilegale. Sipas Islamit, përpjekjet për ta paraqitur këtë aksion si politik nuk qëndrojnë, pasi ndërhyrjet, sipas tij, mbështeten në bazë ligjore dhe jo në përkatësi etnike.
Postimi i plotë: Sundimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve, pa dallime etnike, mbeten parimet kryesore të aksionit shtetëror për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë. Ky operacion, i cili tashmë ka përfshirë edhe në zona si Rugova, Brezovica e Batllava, po shtrihet në të gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.
Fokus i ndërhyrjeve të fundit është bërë rreth Liqenit të Ujmanit, ku janë evidentuar raste të shumta të paligjshme, disa prej të cilave u përkasin eksponentëve të lartë politikë serbë. Megjithëse mediat zyrtare në Beograd kanë tentuar ta paraqesin këtë operacion si një lëvizje me prapavijë politike, ky qëndrim bie ndesh me faktet në terren.
Mbështetja e plotë e aksionit mbi bazën ligjore çaktivizon çdo tentativë për propagandë dhe i zhvesh këto pretendime nga çdo argument juridik apo faktik.
