Transformimi digjital i sistemit gjyqësor ishte në qendër të takimit që ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, zhvilloi me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektuese (UNOPS).
Në këtë takim morën pjesë koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoni, Rita Columbia, drejtoresha rajonale e UNOPS-it, Mikela Talin, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Tanja Temelkoska, si dhe Marko Vujaciq, udhëheqës i programit të UNOPS për Evropën Juglindore.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e krijimit të një partneriteti strategjik të orientuar drejt modernizimit të gjyqësorit, me synim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe qasjes më të lehtë për qytetarët në shërbimet gjyqësore.
Palët u dakorduan për një sërë aktivitetesh të ardhshme që përfshijnë përmirësimin e sistemit AKMIS, futjen e dorëzimit elektronik në procedurat gjyqësore, avancimin e sistemeve të incizimit audio dhe video të seancave, përforcimin e lidhjes ndërinstitucionale, si dhe rritjen e sigurisë kibernetike në sektorin e drejtësisë.
Nga Ministria e Drejtësisë theksohet se përvoja e UNOPS-it në zbatimin e projekteve të ngjashme në rajon përbën mbështetje të rëndësishme për proceset reformuese vendore.
Ministri Filkov nënvizoi se institucioni që ai drejton mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi gjyqësor modern, të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, i cili do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve, duke shtuar se mbështetja e Kombeve të Bashkuara është me rëndësi thelbësore për suksesin e reformave.
