Erërat e fuqishme që kanë përfshirë zonën kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në vreshtin e fermerit Edon Çanta, duke rrëzuar pothuajse tërësisht konstrukcionin mbajtës të hardhive dhe duke dëmtuar një pjesë të madhe të parcelës. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë rreshta të tërë hardhish të shtrira në tokë, ndërsa shtyllat dhe telat mbajtës janë rrëzuar nga forca e erës.
Si pasojë, prodhimi i këtij sezoni rrezikon të pësojë humbje të mëdha, ndërsa rikuperimi i vreshtit pritet të kërkojë kohë dhe investime të konsiderueshme. Fermerët e zonës shprehen të shqetësuar për pasojat që kushtet e pafavorshme atmosferike po shkaktojnë në bujqësi, duke theksuar se fenomene të tilla po cenojnë seriozisht punën dhe të ardhurat e tyre.
Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa fermerët kërkojnë mbështetje për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.
