Të birësuarit ndërkombëtarë nga Koreja e Jugut kërkojnë drejtësi, jo

0%

Nga: Al Jazeera Shpërndaje në: Qeveria e Koresë së Jugut ka pranuar padrejtësitë e së kaluarës, por sipas aktivistëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e të birësuarve, ende mungon përgjegjësia konkrete dhe vendosja e drejtësisë. Në vitin 2023, Marie Wang vendosi të hulumtonte për herë të parë të kaluarën e saj.

E rritur në Danimarkë, ajo e kishte ditur gjithmonë se ishte birësuar nga Koreja e Jugut në fillim të viteve 1990. Për dekada me radhë, Marie besoi historinë që përmbanin dokumentet e birësimit: se nëna e saj biologjike, një studente universiteti, ishte detyruar nga rrethanat ta jepte foshnjën për birësim.

Por ndërsa gjithnjë e më shumë persona të birësuar nga Koreja e Jugut, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, nisën të zbulonin raste të dokumenteve të falsifikuara dhe parregullsive në sistemin e birësimeve ndërkombëtare të vendit, edhe Wang vendosi të kërkonte dosjen e saj. Ajo që zbuloi ndryshoi rrënjësisht gjithçka që kishte besuar për origjinën e saj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në dokumente thuhej se nëna ime biologjike besonte se unë kisha vdekur dhe se ishte mjeku i klinikës ku linda ai që kishte ndërmjetësuar birësimin tim”, tha Wang për Al Jazeera.

Edhe Botë 1 j. më parë Birësuan një foshnjë nga Indonezia, tani rrezikojnë ta humbin pas hetimeve për trafikim “Mendoj se agjencia Korea Social Service (KSS), përmes së cilës u bë birësimi im, ma dërgoi atë dokument gabimisht. Që prej asaj kohe kanë refuzuar të më japin çdo informacion tjetër.

Sa herë kërkoj sqarime, më thonë se ligjet për mbrojtjen e privatësisë nuk ua lejojnë të publikojnë më shumë të dhëna”. Wang është një nga shumë të birësuarit jashtë Koresë së Jugut që kanë zbuluar prova se dokumentet mbi birësimin e tyre përmbanin informacione të fabrikuara.

“Prindërit e mi adoptues nuk do të më kishin birësuar kurrë, po ta dinin se isha ndarë nga familja ime vetëm sepse të gjithë besonin se kisha vdekur”, tha ajo. Sot, në moshën 33-vjeçare, Wang nuk është kthyer asnjëherë në Korenë e Jugut. Historia e Mia Lee Hansen ngjan në mënyrë të habitshme me atë të Wangut. Edhe Hansen u birësua në Danimarkë përmes agjencisë KSS.

Për vite me radhë, ajo besoi versionin që gjendej në dokumentet e saj të birësimit, derisa vizitoi Korenë e Jugut në vitin 2011. “Prindërit e mi adoptues dhe unë u takuam me një përfaqësues të KSS-së, i cili na tha se dosja ime ishte fabrikuar në njëfarë mënyre”, tha ajo për Al Jazeera.

“Ata na shpjeguan se gabime të tilla ndodhnin sepse në atë kohë dokumentacioni nuk administrohej siç duhet”. Meqenëse agjencia nuk i ofroi ndihmën që kërkonte, Hansen vendosi t’i drejtohej testimit komercial të ADN-së në vitin 2020. Disa muaj më vonë, ajo u përputh me ADN-në e një kushëriri që jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2022, Hansen u ribashkua me familjen e saj biologjike në Korenë e Jugut. “Babai im mendoi se ishte një shaka kur mori telefonatën ku i thanë se isha gjallë”:, kujton ajo. “Të gjithë kishin besuar se kisha vdekur”.

Sipas njërit prej motrave ose vëllezërve të saj biologjikë, kur Hansen lindi para kohe në qytetin Gwangju, në jugperëndim të Koresë së Jugut, mjekët i thanë nënës së saj se foshnja nuk kishte mbijetuar. “Gjyshja ime u kthye të nesërmen sepse donte të më bënte një varrim të denjë”, tha Hansen. “Por stafi i spitalit u zemërua dhe i kërkoi të largohej”.

Dosja e saj e birësimit përmban versione kontradiktore mbi arsyet pse ishte dhënë për birësim. Në disa dokumente përmenden varfëria dhe fakti që ishte vajzë. Madje edhe spitali i shënuar në dosje nuk përputhet me atë ku familja e saj thotë se ajo ka lindur. “Kur je i birësuar, përjeton ndarje njëra pas tjetrës”, thotë Hansen.

“Fillimisht ndahesh nga nëna biologjike dhe më pas dërgohesh në anën tjetër të botës. Shumë njerëz mendojnë se foshnjat janë tepër të vogla për të mbajtur mend, por trupi e mban mend atë përvojë”.

Njohje e vonuar Për vite me radhë, personat e birësuar jashtë Koresë së Jugut dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre akuzuan agjencitë koreanojugore të birësimit dhe qeverinë se kishin mundësuar birësime ndërkombëtare të shoqëruara me mashtrime dhe dokumente të falsifikuara. Por viti i kaluar shënoi një pikë kthese.

Në një deklaratë publike, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, u kërkoi falje “me gjithë zemër” personave të birësuar jashtë vendit, si edhe familjeve të tyre biologjike dhe adoptuese. Ai tha se ndihej “i rënduar” kur mendonte për “ankthin, dhimbjen dhe konfuzionin” që shumë prej tyre kishin përjetuar pasi ishin dërguar jashtë vendit që në fëmijëri.

Kërkimfalja e presidentit erdhi pas përfundimeve të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC), i cili vitin e kaluar arriti në përfundimin se shteti kishte luajtur një rol kyç në lehtësimin e birësimeve ndërkombëtare përmes shkeljeve të përhapura të të drejtave të njeriut.

Pas një hetimi që zgjati afro tre vjet dhe përfshiu 367 raste, komisioni zbuloi dokumente të falsifikuara, manipulim të identitetit, regjistrime të rreme që i paraqisnin fëmijët si jetimë të braktisur, si edhe raste kur nuk ishte marrë pëlqimi ligjor i prindërve biologjikë për birësimin.

Përfundimet e komisionit përputhen me një hetim të rëndësishëm të publikuar në vitin 2024 nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe seria dokumentare televizive PBS Frontline.

Hetimi zbuloi se qeveria e Koresë së Jugut, agjencitë e birësimit dhe partnerët e tyre në vendet perëndimore kishin kontribuar në dërgimin e rreth 200 mijë fëmijëve jashtë vendit, megjithëse kishte gjithnjë e më shumë prova se shumë prej tyre ishin ndarë nga familjet përmes mashtrimit ose detyrimit.

Hetimi zbuloi gjithashtu se agjencitë e birësimit u paguanin spitaleve dhe jetimoreve për foshnja dhe fëmijë të vegjël. Programi i birësimeve ndërkombëtare të Koresë së Jugut nisi pas Luftës Koreane (1950–1953), fillimisht si një nismë humanitare për jetimët e luftës.

Megjithatë, me zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve 1970 dhe 1980, birësimet ndërkombëtare u rritën ndjeshëm, duke i dhënë Koresë së Jugut reputacionin e vendit që “eksportonte” më shumë foshnja në botë. Sot, shteti ka nisur të përballet me këtë pjesë të errët të historisë së tij.

Pas kërkimfaljes së presidentit Lee, Koreja e Jugut iu bashkua zyrtarisht Konventës së Hagës për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Bashkëpunimin në Birësimet Ndërkombëtare, duke kaluar përgjegjësinë për këto birësime nga agjencitë private te shteti. Autoritetet kanë premtuar gjithashtu se deri në vitin 2029 do t’i japin fund birësimeve ndërkomobëtare.

Megjithatë, shumë persona të birësuar thonë se këto hapa nuk janë shoqëruar me përgjegjësi reale për atë që ka ndodhur. Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e tyre, dhjetëra mijëra të birësuar vazhdojnë të mos kenë përgjigje për origjinën e tyre, pasi shumë prej tyre nuk disponojnë dokumentacionin e nevojshëm për të hetuar rastet e tyre.

Kjo ndjenjë ishte e pranishme edhe gjatë takimit të këtij viti të Personave të Birësuar Jashtë Koresë së Jugut (OKAG). Konferenca vjetore, e organizuar nga Agjencia për Koreanët Jashtë Vendit, mbledh të birësuar nga e gjithë bota për t’u dhënë mundësinë të rilidhen me vendin ku kanë lindur.

Anne Kim Loesch, e cila jeton në Luksemburg, u kthye këtë vit si një nga drejtueset e komunitetit në këtë program. “Kam pyetur gjithmonë veten se si duket nëna ime biologjike”, tha Loesch për Al Jazeera. “Kur shoh prindër me fëmijët e tyre, vërej sa shumë i ngjajnë njëri-tjetrit. Pyes veten nëse i ngjaj edhe unë asaj. A është e gjatë?

Apo është e shkurtër si unë?” Edhe Botë 34 min. më parë AP: Trumpi miraton marrëveshjen bërthamore që mund t’i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium Për shumë pjesëmarrës, ky takim është një nga vendet e pakta ku ndihen plotësisht të kuptuar. “Miqtë e mi më të afërt në vendin ku jetoj nuk janë të birësuar”, tha ajo.

“Ata kujdesen për mua, por nuk mund ta kuptojnë plotësisht atë që kemi përjetuar. Mes personave të birësuar nuk kemi nevojë të shpjegojmë asgjë”. Megjithatë, zbulimet për mashtrimet e përhapura kanë ndryshuar mënyrën se si shumë prej tyre e përjetojnë kthimin në Korenë e Jugut. “Nuk mund të mos pyesësh veten nëse edhe dokumentet e tua janë manipuluar”, tha Loesch.

“Duhet të jesh emocionalisht shumë i fortë që të mos humbasësh në atë humnerë pasigurie”. Për Lee Do-hyun, themelues i organizatës KoRoot, e cila mbështet personat e birësuar jashtë vendit që prej vitit 2003, takimi vjetor është një nismë me qëllime të mira, por me prioritete të gabuara.

“Prioriteti i parë duhet të jetë hetimi i përgjegjësisë së shoqërisë dhe qeverisë së Koresë së Jugut për atë që kanë përjetuar personat e birësuar gjatë gjithë jetës së tyre”, tha Lee për Al Jazeera. Sipas tij, programet zyrtare janë përqendruar më shumë në krijimin e përvojave pozitive për të birësuarit sesa në përballjen me të vërtetat e dhimbshme të së kaluarës.

“Prej kohësh në Korenë e Jugut ekziston një ndjenjë faji ndaj personave të birësuar jashtë vendit”, tha Lee. “Një nga mënyrat për ta shprehur këtë ka qenë akomodimi i tyre në hotele luksoze dhe organizimi i aktiviteteve të planifikuara me kujdes. Por unë vë në dyshim nëse ka ekzistuar i njëjti përkushtim për t’i dëgjuar ata dhe për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.

Përgjegjësia ende mungon Edhe pse kërkimfalja e Koresë së Jugut u konsiderua një moment i rëndësishëm për shumë persona të birësuar jashtë vendit, Peter Møller thotë se ajo ende nuk është shoqëruar me përgjegjësi konkrete.

Møller ndihmon të birësuarit jashtë Koresë së Jugut të ndjekin procesin e zbardhjes të së vërtetës përmes organizatës KoRoot, duke bashkëpunuar ngushtë me Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC), ndërsa mijëra raste janë ende në shqyrtim.

Një nga prioritetet e tij ka qenë bashkëpunimi me policinë për 56 rastet që TRC-ja i ka njohur zyrtarisht si shkelje të të drejtave të njeriut të kryera me përgjegjësi shtetërore. “Por policia ka refuzuar disa prej këtyre rasteve pa kryer asnjë hetim të mirëfilltë”, tha Møller për Al Jazeera. “Pesë rastet e para kishin të bënin me fëmijë që ishin shpallur në mënyrë të rreme të vdekur.

Policia i mbylli dosjet me arsyetimin se afati ligjor për ndjekje penale kishte skaduar”, shpjegoi ai. “Por nëse je rrëmbyer në vitin 1974, je ende viktimë e atij rrëmbimi edhe sot”. Sipas Møllerit, kjo tregon një problem më të thellë institucional.

“Është zhgënjyese që një institucion shtetëror pranon se kanë ndodhur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, ndërsa sistemi i drejtësisë penale refuzon t’i hetojë këto raste”, tha ai. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë të refuzojnë kërkesat e të birësuarve për qasje në informacion mbi origjinën e tyre, duke u mbështetur shpesh te ligjet për mbrojtjen e privatësisë.

“Por nëse prindërit biologjikë nuk e dinë fare që fëmija i tyre është gjallë, si mund të kenë dhënë ose të japin pëlqimin për publikimin e këtyre të dhënave?” pyet Møller.

Vitin e kaluar, Gjykata Administrative e Seulit ia referoi Gjykatës Kushtetuese një pjesë të Ligjit të Posaçëm për Birësimin, duke argumentuar se kërkesa për pëlqimin e prindërve biologjikë përpara se personat e birësuar të kenë qasje në të dhënat identifikuese mund të jetë në kundërshtim me të drejtat themelore.

Gjykata e cilësoi të drejtën për të njohur origjinën si “një të drejtë të lindur dhe themelore të njeriut”. Çështja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Sipas Møllerit, mbeten ende shumë pyetje pa përgjigje. KoRoot i ka kërkuar Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit të hetojë numrin jashtëzakonisht të lartë të lindjeve të parakohshme mes personave të birësuar jashtë vendit.

“Kemi identifikuar raste ku duket se nënave biologjike u janë administruar medikamente gjatë shtatzënisë, të cilat mund të kenë shkaktuar lindje të parakohshme”, tha ai. Që nga viti 2021, KoRoot ka shqyrtuar mbi 4 mijë raste birësimi. “Deri më tani”, tha Møller, “nuk kemi gjetur asnjë rast ku të gjitha informacionet në dokumente të kenë qenë plotësisht të sakta”.

Ai kishte shpresuar se kërkimfalja e vitit të kaluar do të nxiste reforma më të gjera institucionale, por thotë se është zhgënjyer nga mungesa e ndryshimeve. “Prisnim që, pasi shteti pranoi manipulimet e përhapura, kjo të sillte ndryshime edhe në institucionet e tjera”, tha ai. “Ende jemi duke pritur”.

Për Anders Riel Muller, njohja zyrtare e padrejtësisë ka sjellë një lloj vlerësimi moral, por jo mbylljen e plagëve. Ashtu si Marie Wang dhe Mia Lee Hansen, edhe ai ishte mes 56 personave të birësuar, rastet e të cilëve Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i cilësoi si shkelje të të drejtave të njeriut me përgjegjësi shtetërore. Sot, Muller kthehet në Korenë e Jugut çdo dy vjet.

“Marrëdhënia ime me Korenë e Jugut është shumë e ndërlikuar”, tha për Al Jazeera Muller, profesor në Universitetin e Stavangerit në Norvegji. “Është një vend ku më pëlqen të kaloj kohë, por është gjithashtu vendi për të cilin e di se nuk më donte”. Në vitin 1980, kur ishte vetëm tre vjeç, xhaxhai dhe halla e tij e dërguan në një jetimore pa dijeninë e prindërve biologjikë.

Megjithëse agjencia e birësimit e dinte se prindërit e tij ishin gjallë, ajo e regjistroi si jetim dhe i caktoi një emër dhe datëlindje të rreme, duke e bërë pothuajse të pamundur gjurmimin e identitetit të tij të vërtetë. Edhe pse shteti ka pranuar se ai u birësua në mënyrë të padrejtë, Muller ende ka shumë pyetje pa përgjigje për rastin e tij.

Ai nuk ka kërkuar rikthimin e shtetësisë së Koresë së Jugut, pasi nuk ndien nevojën “të provojë se kush është”. Sipas tij, ideja se personat e birësuar duhet të provojnë identitetin e tyre tregon se ende nuk kuptohet plotësisht ajo që ata kërkojnë në të vërtetë. “Shumë njerëz në Korenë e Jugut vazhdojnë të besojnë se ne patëm një jetë më të mirë jashtë vendit”, tha ai.

“Ky është i njëjti argument që është përdorur ndaj popujve autoktonë në shumë vende të botës”. Edhe Botë 39 min. më parë SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit, Trumpi paralajmëron goditjen e objekteve bërthamore Më pas, Muller heshti për një çast. “Por si mund ta riparosh mërgimin e detyruar?”, tha ai. “Si mund ta rikuperosh humbjen e gjuhës, të familjes dhe të kulturës tënde?”

Burimi: Koha