Gjyqtari i njohur i Premierligës, Anthony Taylor, ka njoftuar pensionimin e tij vetëm pak ditë pasi përfundoi angazhimin në Kupën e Botës 2026. 47-vjeçari ka vendosur t’i japë fund një karriere dydekadëshe, gjatë së cilës drejtoi 831 ndeshje dhe u bë një nga arbitrat më të respektuar në futbollin botëror.
Arbitri nga Mançesteri mori pjesë edhe në Kupën e Botës 2026, ku gjykoi dy ndeshje: sfidën e fazës së grupeve mes Senegalit dhe Irakut, si dhe ndeshjen e 1/8 së finales, ku Spanja mposhti Portugalinë.
Ai mund të kishte drejtuar edhe një gjysmëfinale, por kualifikimi i Anglisë në katërshen më të mirë e pengoi këtë, pasi rregulloret nuk lejojnë që një arbitër të gjykojë ndeshje të kombëtares së vendit të tij. Ish-oficeri i burgut u bë arbitër profesionist në vitin 2006, kur u përfshi në listën e Football League, ndërsa ndeshjen e parë në Premierligë e drejtoi në vitin 2010.
Gjatë 16 sezoneve në elitën e futbollit anglez, Taylor gjykoi 432 ndeshje të Premier League, si dhe drejtoi finalet e FA Cup dhe Carabao Cup. Në arenën ndërkombëtare, ai ishte arbitër në 163 ndeshje dhe ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte drejtimi i finales së Ligës së Kampionëve 2024 mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit.
