Një tentativë e mirëorganizuar për vjedhje është parandaluar në orët e para të mëngjesit në fabrikën “Vita” në Istog, pasi persona ende të paidentifikuar u detyruan të largoheshin me të parë patrullat policore, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 20 korrik, rreth orës , në fshatin Sinë, ku Policia është njoftuar se në objektin e fabrikës ishte duke ndodhur një vjedhje në progres. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore.
Sapo kanë vërejtur prezencën e Policisë, të dyshuarit kanë ikur nga pjesa anësore e objektit në drejtim të panjohur. Nga hetimet e para rezulton se autorët kishin depërtuar në zyrat e administratës duke hyrë përmes tavanit, me ndihmën e një shkalle druri.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat fillimisht janë vërejtur nga rojet e objektit, të dyshuarit kanë tentuar ta hapin kasafortën me mjete të forta, por nuk kanë arritur ta realizojnë planin e tyre. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se autorët kanë qenë të maskuar, ndërsa dyshohet se kanë pasur me vete edhe një armë zjarri (pistoletë).
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknika e Stacionit Policor në Istog, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat materiale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
