Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Richard Dadd ishte i mbyllur në spitale psikiatrike. Por, Akademia Mbretërore na fton ta shohim atë si diçka më shumë sesa thjesht një kureshtje.
Nga: Alastair Sooke / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet që nga ekspozita e fundit e madhe kushtuar veprës së Richard Daddit, artistit të pazakontë viktorian që vrau babanë e vet kur ishte në të njëzetat dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës duke pikturuar në institucione psikiatrike.
Ndër kompozicionet më të njohura të tij, që të japin përshtypjen e një gjëje psikodelike, është Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave (1855-1864), një tablo e ndërlikuar dhe thellësisht e çuditshme, e mbushur me krijesa mbinatyrore – secila me sa duket jo më e madhe se një fije bari. Me siguri është fryt i një mendjeje të trazuar nga ethet e trurit?
“Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave” Akademia Mbretërore e Arteve Ekspozita Richard Dadd: Përtej çmendurisë , në Akademinë Mbretërore të Arteve, na fton ta rishohim figurën e tij – jo si një i çmendur që rastësisht pikturonte, por si një artist të dorës së parë që jetonte me një sëmundje mendore (ndoshta skizofreni) – disi si Vincent van Goghu.
Edhe pse, bazuar në këtë ekspozitë, pikturat e tij të frymëzuara nga folklori mund të duken të errëta, si dhe të mbushura me figura e halucinacione, origjinaliteti i vizionit të tij e përforcon premisën e ekspozitës. Kjo ekspozitë mund të jetë e çuditshme, por është pa dyshim mbresëlënëse.
Pavarësisht historisë së tij mjekësore, do të ishte gabim të kategorizohej Daddi si një artist “autsajder”. Ai lindi në Kent më 1817, nëna i vdiq kur ishte fëmijë dhe, në moshën 19-vjeçare, hyri në Shkollën e Akademisë Mbretërore – një lëvizje që theksohet (jo çuditërisht, duke pasur parasysh vendin ku zhvillohet ekspozita) nga salla e parë disi e zbehtë e saj.
Nëse arti i pjekur i Daddit duket teknikisht i përkryer dhe i mbështetur fort në historinë e artit – kam përshtypjen se një akuarel i çuditshëm i vitit 1852, që paraqet Robin Hudin, aludon te Harkëtarët (1769-70) e Sir Joshua Reynoldsit, që sot ndodhet në galerinë “Tate” – kjo ndodh sepse ai ishte jo vetëm i talentuar, por edhe i formuar profesionalisht.
“Robin Hudi” (1852) Akademia Mbretërore e Arteve Pasi fitoi vlerësime për disa piktura të hershme me zanat, me tema nga Shekspiri – ndër to një që paraqet një Pak të shëndoshë, me pamje dashakeqe, ulur këmbëkryq mbi një kërpudhë poshtë një lulegishti që varet si një dush që pikon – Daddi u ftua, më 1842, të shoqëronte Thomas Phillipsin, një jurist dhe politikan uelsian, në një udhëtim rreth Mesdheut lindor.
I mbingarkuar nga përshtypjet e këtij udhëtimi të madh, Daddi filloi të vuante prej iluzioneve. Pas kthimit në Londër, u bind se babai i tij ishte djalli dhe e vrau me thikë. Një vit më vonë u shtrua në Bethlem, ku qëndroi për dy dekada, përpara se të transferohej në spitalin Broadmour – ku më vonë do të vdiste nga tuberkulozi, në vitin 1886.
“Paki” Akademia Mbretërore e Arteve Gjatë kohës që ishte pacient, qëndrimet mjekësore ndaj sëmundjeve mendore filluan të ndryshonin. Në vitin 1854, Daddi krijoi Agoninë – çmenduria e tërbuar , një akuarel që paraqet një pacient të prangosur, gjysmë të zhveshur dhe dukshëm të torturuar, i cili mban kokën me duar.
Megjithatë, mjekët e Daddit dëshironin që shtrëngimi fizik të bëhej pjesë e së kaluarës. Ata e lejuan të vizatonte dhe të pikturonte sipas dëshirës, madje edhe e porositën të krijonte vepra; në Broadmour i siguruan edhe vegla zdrukthëtarie, që të ndërtonte vetë kornizat e tij karakteristike prej druri për pikturat (dy prej të cilave ekspozohen në Akademinë Mbretërore).
Pavarësisht izolimit të tij, Daddi ishte qartazi në një linjë me artin viktorian të kohës. Ashtu si artistët e tjerë të asaj periudhe, ai ishte i magjepsur nga kostumet, temat orientaliste dhe zanat. Në disa raste, stili i tij madje të lë të kuptosh se njihte pararafaelitët.
Ashtu si ata, edhe vepra e Daddit u bë sërish e pëlqyer gjatë viteve ’60 të shekullit të kaluar, pasi në vitin 1963 Siegfried Sassoon ia dhuroi “Tate”-it pikturën Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave .
Daddi duke pikturuar “Kontradiktën: Oberoni dhe Titania” (më poshtë), fotografuar nga Henry Hering, i cili dokumentoi pacientët në Spitalin Mbretëror të Bethlemit Akademia Mbretërore e Arteve “Kotradikta: Oberoni dhe Titania” (1854-1958) Akademia Mbretërore e Arteve Megjithatë, qasja e Daddit ishte gjithashtu e veçantë – bie në sy fakti se personazhet në pikturat e tij rrallë ndërveprojnë me njëri-tjetrin – dhe gjallërohej nga një humor ironik.
E përshkuar nga e kaltra e errët e plot ndjeshmëri, e kundërvënë me disa burime ndriçimi vezullues, mes tyre drita e yjeve dhe e hënës, Ndalesa e artistit në shkretëtirë (rreth vitit 1845) është një skenë e mrekullueshme nate, e realizuar me akuarel dhe guash, që paraqet një grup udhëtarësh, shumica të ulur pranë një zjarri kampi; ajo u rizbulua në emisionin e BBC-së, “Antiques Roadshow”, në vitin 1985.
“Ndalesa e artistit në shkretëtirë” (rreth vitit 1845) Akademia Mbretërore e Arteve Në këtë pikturë, Daddi me sa duket tallet me mënyrën e tij natyraliste të pikturimit, duke bërë të duket – në mënyrë qesharake – sikur Hëna e plotë është gdhendur në një heshtë në plan të parë, si një marshmellou në një shkop.
Është një lloj marifeti i piktorit që do t’i kishte pëlqyer René Magritteit: në fund të kësaj ekspozite, u tundova ta klasifikoja Daddin si një pararendës të surrealizmit.
Kjo është gjithashtu karakteristike e frymës së mprehtë dhe ironike të veprës së tij, e cila përfshin një seri akuarelesh satirike të njohura si Pasione , që mund të vënë në lojë klasifikimin e sëmundjeve mendore të shekullit XIX. Sipas kuratorit të ekspozitës, Nicholas Tromans: “Richard Dadd është artisti i madh komik i shekullit XIX”. Por, a është ai më shumë sesa një kuriozitet?
Unë besoj se po. Arti ëndërrimtar i Daddit, që më vonë tërhoqi, ndër shumë të tjerë, Angela Carterin dhe Freddie Mercuryn, u jep formë atyre mendimeve të mjegullta, nganjëherë torturuese që banojnë në skajet e vetëdijes. Si rrjedhojë, ai mund të jetë i fuqishëm.
Veprat e tij të vona, të krijuara nga viti 1864 në Broadmour – që paraqesin, për shembull, një çift vilash portokalli që duket sikur lëshojnë një ndriçim të çuditshëm në një peizazh të hapur – janë më pak të mbushura me elemente, më baritore dhe sjellin një ndjenjë lehtësimi.
