Polemisti i rreptë Konica, i cili asnjë punë nuk e çoi në fund!

0%

Nga: Neki Kotherja Konica: “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik”. Këtë frazë e gjejmë të shkruar midis shënimeve që na ka lënë Konica për kulturën.

Bir i këtij trualli që, sipas tij, endet mes mrekullisë dhe tragjizmit historik të fatit të tij, te karakteri i Konicës sonë të madh do të spikasin shumë herë këto tipare të skajshme, tipare këto që shumë bukur i ka skicuar Koliqi në një thënie të tij për Faikun: “Zejtar i shkrimit, qi i shëndron fjalët në djamanta”.

I lindur në një familje të madhe më në qytetin e vogël Konicë pranë maleve të Pindit, jo shumë larg kufirit të sotëm shqiptar me atë grek, Faiku, fëmija i shtatë, pas rreth një dekade do t’i drejtohej kryeqendrës së Veriut, Shkodrës, ku do të ndjekë mësimet pranë kolegjit saverian. Rast i rrallë ky, kur një fëmijë mysliman ndjek mësimet pranë një kolegji katolik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa më 1890 ai shkon në Francë për të vazhduar studimet në Lisjë, më pas në Karkason e më vonë do të regjistrohet në Universitetin e Dizhonit më 1895, të cilin e kreu për filologji romane. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit, pasi kishte përvetësuar frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në “College de France”.

Faik Konica është ndër të paktët, ndoshta rasti unik në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, që megjithëse fizikisht e ka mbyllur jetën e vet, vepra i qëndron e hapur. Edhe pse ai filloi të botojë më shumë se një shekull më parë, përsëri nuk është arritur të bëhet një bilanc i plotë e i saktë i trashëgimisë së tij letrare.

Vetë sa ishte gjallë, ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’i përmbledhur shkrimet e veta në një vëllim. Në një kronikë që botoi te gazeta Dielli (mars 1909) shprehet se së shpejti do të botojë një përmbledhje nën titullin Kandili i kuq . Por, ky libër nuk e pa dritën e botimit as atëherë e as më vonë. Fatkeqësisht sot nuk njohim përmbajtjen e këtij vëllimi që Konica do të botonte.

Konica në gjithçka që vepronte ishte i habitshëm. Si edhe në këtë çështje: një personalitet i madh, një monument i gjallë kulturor dhe atdhetar, ku Faik Konica nuk la asnjë vepër të botuar në gjallje të vet, përveç një vëllimi që përmban përkthime të përrallave arabe, Njëmijë e një net , të cilat ai i solli në shqip me titullin Nën hijen e hurmave .

Në bibliografinë e letërsisë shqiptare, emri i Konicës nuk figuron me asnjë vepër origjinale të dalë nga dora e tij. Konica, për fat të keq, shkroi pak letërsi të mirëfilltë, por si kritik, eseist, publicist dhe politikan, ai pati ndikim shumë të fortë në zhvillimin e kulturës te ne.

Me shkrimet e shumta të botuara nëpër organe shtypi të ndryshme dhe mbi të gjitha të botuara në revistën që ai e formësoi e i dha jetë, Albania , bëri që kultura shqiptare dhe letërsia shqipe të njihej e të vlerësohej në qarqe të ndryshme nëpër Europë. Fan Noli ka shkruar për revistën Albania : “Është enciklopedia e rilindjes së kombit shqiptar”.

Faik Konica, në kohën e sotme, qëndron mes së njohurës dhe të panjohurës. Nuk njohim pothuajse asnjë nga prodhimtaria e Konicës publicist.

Konsiderohet “e humbur” komedia Mustaqet që u shfaq prej një grupi diletant në Boston në vitin 1923, përkthimin e veprës së Shekspirit Nata e dymbëdhjetë , si dhe Reomeo e Zhuljeta ; nuk njohim tregimin Vallëzimi i shqiptarëve , fragmente të Iliadës dhe Odisesë që Konica ka përkthyer nga greqishtja e vjetër dhe sa e sa shkrime, artikuj e libra të tjerë që ai ka botuar nëpër botë apo që akoma sot ndoshta janë stok në arkivin e kishës së Shën Gjergjit apo edhe në zyrat e Federatës Vatra .

Por, të flasim pak për Konicën si publicist. Faiku e çmonte shumë këmbimin e lirë të ideve. Në faqet e Albania -s ai kishte rezervuar shtylla, të cilat i vuri në dispozicion të kundërshtarëve të tij, të cilëve u kundërvihej me zgjuarsi dhe argumente.

Konica kritikonte shpërthimet vulgare apo të pamotivuara të nacionalizmit dhe, duke qenë me formim perëndimor, e kishte të vështirë të pajtohej me romantikun Frashëri. Konica ka shkruar arritjet dhe mangësitë që ka krijimtaria naimiane. Edhe pse, sipas Konicës, poezia e Frashërit ishte e papërpunuar, Faiku nuk mundohej që ta zhvishte nga vlerat krijimin e Naimit.

Stili i rrjedhshëm që përdori ai bashkë me Nolin, bëri që të perfeksionohej proza e dialektit toskë, e folme kjo që vite më vonë do të ishte baza e gjuhës së sotme letrare shqipe. Spontaniteti dhe përsosmëria e prozës së Konicës, aprovohet dhe pëlqehet nga të gjithë.

Nga vëllimet që në frontespic mbajnë për autor emrin e Faik Konicës, përmend Shqipëria, kopsht shkëmbor i Europës Juglindore , botuar me interesimin e publicistit Qerim Panariti më 1957 në Boston; Nën hijen e hurmavet ; Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit etj.

Vepra që mund të quhet si përfaqësuese e stilit të Konicës pa dyshim që përmendet romani i papërfunduar Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit . Ngjarja që e shtyu Konicën për të shkruar këtë vepër interesante është vrasja gabimisht e dy turistëve amerikanë në afërsi të Mamurrasit, në mesin e vitit 1924.

Për këtë u ndie edhe një incident diplomatik mes qeverisë amerikane dhe asaj të kryesuar nga Fan Noli. Duke shfrytëzuar faktin se kabineti i Nolit u tregua shumë i butë më Ahmet Zogun (që mendohej gabimisht se ishte shkaktari i vrasjes së turistëve), Konica filloi të shkruajë Dr.

Gjëlpërën … dhe ta botojë atë si fillim pjesë-pjesë në faqet e Diellit , gazetës më të madhe të shqiptarëve të Amerikës, themelues i së cilës ishte ai vetë. Pas një viti, kur Konica i rregulloi marrëdhëniet me përfaqësuesit e Zogut e me vetë atë, e ndërpreu botimin e ndodhisë së cilës me aq interes i dha titullin thumbues Doktor Gjëlpëra …

Mendime të vyera Konica ka dhënë për gjuhën shqipe, për formësimin e saj dhe karakteret (fonemat). Që në vitin 1897, Konica mendon për formimin e një gjuhe kombëtare të kodifikuar dhe të njehsuar, e cila do të shërbejë më tej në perfeksionimin e kulturës dhe shkollës kombëtare.

Këto ide interesante dhe të çmuara, Konica i përcjell në faqet e revistës së tij Albania , në artikullin Për themelimin e një gjuhe letrarishte shqip . Propozimi i Konicës për njehsimin e alfabetit vinte natyrshëm, sipas tij. Ai sugjeronte zgjidhjen më të kuptueshme për të gjithë, shkrirjen dhe pastaj njehsimin shkallë-shkallë të dialekteve toskë e gegë.

Faik Konica ishte partizan i idesë që gjuha shqipe duhej shkruar me germa latine dhe ishte kundër propozimeve të germave arabe etj. Nëse kthejmë sytë nga profili tjetër i Konicës, do të shohim se ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gazetarisë dhe botimit të periodikëve në shqip.

Përveç botimit të “enciklopedisë së Rilindjes” – Albania – Konica ka meritën se formësoi dhe u dha jetë edhe disa organeve të tjera të shtypit shqiptar, si p.sh. shtojca e revistës Albania me titull Albania e vogël , Trumpeta e Krujës , Dielli , Shqiptari i Amerikës etj.

Konica, fituesi i laureatit “Kapela e Lartë e diplomatit të ditur”, vdiq në Uashington më dhe u varros në varrezat Forest-Hills në Boston. Ky ishte polemisti i rreptë me një qartësi mendimi që s’ka shok në botën shqiptare, krijuesi me një bagazh të jashtëzakonshëm, por që siç thotë Noli: “Çdo punë që e zente me dorë, nuk e çonte kurrë në funt”.

Gjithsesi ky mbetet Konica, kolosi i letrave shqipe për aq sa i kontribuoi atyre dhe për leksionet e vyera që dha në drejtim të shkrimit dhe punimit të esesë, menyja “new entry” në vazhdën e krijimeve shqiptare.

Burimi: Telegrafi