Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Dekretet, Haxhiu i ka nënshkruar një ditë pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”- Haxhiu ka shtuar se shteti i Kosovës funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. ‘Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara.Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”- përfundoi ajo.
Më , Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës.
Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit. Pas shqyrtimit të kërkesës, shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial vendosën ta refuzojnë atë.
Me katër vota për refuzimin dhe tri kundër, KPK-ja vendosi që ish-prokurorët serbë dhe stafi i tyre mbështetës të mos rikthehen në sistemin prokurorial të Kosovës. Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve votuan anëtarët Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa.
Kundër votuan kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi. Propozimi për refuzimin e kërkesave u paraqit nga zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi.
Ndërkaq, kryesuesi Arian Gashi propozoi që çështja të shtyhej për një mbledhje tjetër, me arsyetimin se nevojiteshin konsultime me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe përgatitja e materialeve shtesë. Propozimi i tij u mbështet nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi, por nuk mori shumicën e votave.
Gjatë diskutimit, kryesuesi Arian Gashi tha se integrimi i prokurorëve serbë kishte ardhur si rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Ata nuk kanë ardhë si rezultat i një procesi të rregullt rekrutues në kuadër të këtij Këshilli, ashtu siç është zhvilluar në çdo rast tjetër, por kanë ardhë si rezultat i një marrëveshjeje ndërkombëtare që Republika e Kosovës ka arritur me shtetin fqinj, e cila marrëveshje ka kalu në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë ligj dhe duhet zbatuar.” Anëtarja e KPK-së, Arlinda Muqa, tha se kthimi i tyre nuk mund të trajtohet si çështje kompromisi politik, por vetëm si çështje ligjore.
“Konsideroj se kthimi i tyre në sistemin prokurorial nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit politik apo e kompromisit institucional, por vetëm si çështje e ligjit. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha obligimet që rridhnin nga marrëveshjet për integrimin e gjyqësorit dhe prokurorisë.
Ajo u krijoi mundësi që të bëhen pjesë e sistemit kushtetues dhe sistemit me të gjitha të drejtat dhe garancitë profesionale.
Në vitin 2022 ata vendosën që të japin dorëheqje, kjo përbën një veprim personal dhe juridik, pasojat e të cilit përcaktohen qartë nga ligji.” Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, tha se mbetet i interesuar që prokurorët nga komuniteti serb të jenë pjesë e sistemit prokurorial, por shtoi se nuk kishte pasur kohë të njihej me këtë çështje.
“Mbes pranë qëndrimit dhe inkurajimit që edhe kolegët nga komuniteti serb të jenë pjesë e sistemit prokurorial. Sa i përket kësaj teme apo problematike, dua të them sinqerisht se nuk kam qenë i njoftuar me kohë, sepse vetëm sa e kam marrë detyrën si kryeprokuror.
Andaj mbes pranë qëndrimit apo linjës me kryesuesin sa i përket kësaj problematike.” Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, tha se, ndonëse kthimi i tyre mund t’i shërbente sistemit prokurorial, nuk ka bazë ligjore që ta mbështesë një vendim të tillë. “Kjo çështje është e vjetër, por ato që i përmendën kolegët, argumentet ligjore.
Do të doja që sot të isha pro asaj që kthimi i tyre t’i shërbejë sistemit prokurorial dhe pjesës veriore, por është vështirë me gjet argumente ligjore që na garantojnë se kthimi i tyre është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Unë sot e kam të pamundur që të gjej argument dhe të rreshtohem pro kthimit të tyre.
Unë jam i bindur se mosverifikimi i integritetit të tyre është problem serioz dhe unë nuk marr guxim të votoj pro kthimit të tyre derisa koha do të na dëshmojë nëse këta persona kanë qenë pjesë e atyre aktiviteteve të cilat edhe legjislacioni ynë nuk i njeh.” Anëtari tjetër i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se çështja tejkalon aspektin juridik.
“Mendoj se është çështje më e thellë, është çështje politike, strategjike, por është edhe çështje e rreshtimit të shtetit tonë, sepse vetëm një fakt nëse e analizojmë e gjejmë përgjigjen se pse u prit kaq gjatë dhe nuk u përmbyll ky proces. Ata që kanë qenë para nesh kanë ditë me e mbyllë këtë dhe kanë ditë, por besoj se ka pasur rrethana të tjera.
Unë jam për me e trajtu, por si pikë të veçantë, të jemi si Këshill të përgatitur dhe të jemi të koordinuar me Këshillin Gjyqësor.” Ndërsa anëtarja Elza Bajrami-Kastrati kërkoi që Këshilli të vendosë menjëherë përmes votimit.
“Konsideroj se ne duhet të procedojmë me votim që me votën tonë ta mbrojmë Kushtetutën dhe ligjet tona dhe dinjitetin e Këshillit, duke i refuzuar kërkesat për tërheqje të dorëheqjeve dhe duke propozuar lirimin e tyre nga detyra.” Ish-prokurorët serbë dhe stafi i tyre mbështetës kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
KALLXO.com më raportoi se gati katër vjet pasi kishin ofruar dorëheqjet e tyre e që të njëjtat nuk ishin trajtuar, disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë kanë dorëzuar kërkesë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.
Më , në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal dhe nga gjyqësori.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një tjetër takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.
Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillonte të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit.
Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat në veri me shumicë serbe, në atë kohë kanë ofruar dorëheqjet e tyre.
E gjitha erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletëqortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
