Dosja e bujshme e njohur si “Nesti Angoni” rikthehet sërish në vëmendjen e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një ankim, duke kërkuar nisjen e një hetimi penal për veprën e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas tij, dokumenti që mban emrin e personazhit anonim “Nesti Angoni” ka shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj tij. Veliaj pretendon se dokumenti në fjalë është i falsifikuar dhe kërkon që organet e drejtësisë të identifikojnë personin real që fshihet pas emrit “Nesti Angoni”.
Gjithashtu, ai kërkon të verifikohet mënyra se si ky kallëzim është depozituar dhe administruar nga SPAK. Në muajin prill 2026, Veliaj iu drejtua Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal, por kjo e fundit vendosi të mos regjistrojë procedim penal. Sipas Prokurorisë, nuk rezulton që “Nesti Angoni” të figurojë në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile.
Gjithashtu, institucioni argumentoi se nuk ka kompetencë të kontrollojë hetimet apo aktet procedurale të administruara nga SPAK. I pakënaqur me këtë vendim, Veliaj e ankimoi çështjen në Gjykatën e Tiranës. Më 15 korrik, gjykata shpalli moskompetencën dhe vendosi që dosja t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Tashmë çështja ndodhet në duart e gjyqtarit Erjon Çela, i cili pritet të caktojë në ditët në vijim seancën e parë për shqyrtimin e ankimit. Vendimi që do të merret mund të përcaktojë nëse do të hapet ose jo një hetim për të zbuluar identitetin e personit që fshihet pas emrit “Nesti Angoni” dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura nga kryebashkiaku.
Dosja “Nesti Angoni” mbetet një nga episodet më të debatueshme të hetimit ndaj Erion Veliajt, ndërsa përplasja mes mbrojtjes së tij dhe SPAK vijon të zhvillohet paralelisht me procesin penal që po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme. Rezultati i kësaj procedure pritet të ketë ndikim në zhvillimet e mëtejshme të çështjes.
Aludimet për identitetin e “Nesti Angonit” Ndërkohë kujtojmë se që prej nisjes së hetimeve ndaj Erion Veliajt, në qarqe pranë kryebashkiakut dhe në disa media mbështetëse të tij janë artikuluar pretendime se një pjesë e sulmit ndaj tij vjen nga brenda Partisë Socialiste.
Sipas këtyre zërave, pas lëvizjeve kundër Veliajt mund të qëndrojë një grup brenda qeverisë që prej kohësh ka qenë në konflikt politik me atë që konsiderohej si një nga pasardhësit e mundshëm të Edi Ramës. Në këtë kontekst, disa media pranë Veliajt kanë hedhur dyshime se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku mund të jetë e lidhur me denoncimin anonim të firmosur në emër të “Nesti Angonit”.
Këto pretendime janë mbështetur mbi faktin se kallëzuesi anonim dispononte, sipas tyre, informacione që nuk konsiderohen lehtësisht të aksesueshme nga një qytetar i zakonshëm.
Në një artikull të publikuar pak javë më parë, Shqiptarja.com ngrinte pikëpyetje se si një denoncues anonim kishte siguruar të dhëna nga regjistrat e Aviacionit Civil, duke pretenduar se Erion Veliaj kishte udhëtuar në të njëjtin avion me një biznesmen rreth 20 vite më parë.
Media pyeste se cili ishte burimi i këtyre informacioneve dhe si kishte arritur denoncuesi të siguronte dokumente që nuk janë publike. Pretendimet u përforcuan edhe nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili nga Zvicra deklaroi se persona të lidhur me Belinda Ballukun kishin financuar protesta kundër Veliajt.
Ahmetaj nuk paraqiti prova publike për këtë pretendim, ndërsa Balluku nuk ka pranuar publikisht akuza të tilla. Deri më tani nuk ka prova publike që të vërtetojnë se pas identitetit të “Nesti Angonit” fshihet Belinda Balluku apo ndonjë zyrtar tjetër.
Megjithatë, debati politik dhe mediatik mbi identitetin e denoncuesit anonim vijon të mbetet pjesë e përplasjes mes palëve, ndërsa pritet që zhvillimet në Gjykatën e Posaçme të hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje.
Ndërkaq sikundër e theksuam më sipër, kujtojmë se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash.
Masa e sigurisë “arrest në burg” është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjykimit, ndërsa dosja penale ndaj tij tashmë po shqyrtohet në themel nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku procesi gjyqësor ka nisur dhe vijon me zhvillimin e seancave.
