Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) kanë nënshkruar Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave (EEW)”, një iniciativë që synon të përmirësojë kushtet strukturore, individuale dhe sociale për gratë në Kosovë, duke rritur qasjen e tyre në tregun e punës dhe mundësitë për punësim, me fokus të veçantë te gratë nga zonat rurale dhe kategoritë më pak të përfaqësuara.
Përmes këtij projekti do të mbështetet zhvillimi dhe përmirësimi i shërbimeve të punësimit, fuqizimi i kapaciteteve institucionale, orientimi në karrierë, aftësimi profesional dhe promovimi i politikave aktive të tregut të punës, me synim krijimin e më shumë mundësive për përfshirjen e grave në jetën ekonomike, njofton Ministria.
Sipas njoftimit po ashtu, projekti parasheh bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare dhe Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e ndërmarrjeve sociale.
Në këtë kuadër do të themelohet një grup i përbashkët pune dhe do të realizohet një vlerësim i nevojave, mbi bazën e të cilit do të planifikohen aktivitetet e mëtejshme në përputhje me objektivat e projektit dhe burimet në dispozicion.
Tutje thuhet se Marrëveshja është pjesë e bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e cila zbatohet në kuadër të marrëveshjeve dhe dakordimeve ndërmjet dy qeverive për bashkëpunim ekonomik dhe teknik, duke dëshmuar edhe një herë partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës.
