Një aksion i gjerë i institucioneve shtetërore është duke u zhvilluar në qendër të Prizrenit, ku njësia e Krimeve Ekonomike, Inspektorati i Punës dhe inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit kanë zbarkuar në rrugën “Pushkatarët”, mëson Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, kontrollet po zhvillohen te parkingjet “Bekimi” dhe “Kaçinari”, ku ekipet inspektuese po verifikojnë zbatimin e ligjit nga operatorët ekonomikë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksioni lidhet me dyshimet për tarifa të larta të parkimit dhe moslëshimin e kuponëve fiskalë, si dhe me respektimin e detyrimeve ligjore dhe fiskale nga bizneset që operojnë në këtë zonë.
Në terren ndodhen zyrtarë të Krimeve Ekonomike, Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë, të cilët po kryejnë kontrolle të detajuara dhe po verifikojnë dokumentacionin përkatës. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse janë konstatuar shkelje apo janë shqiptuar masa ndaj operatorëve, ndërsa pritet që institucionet kompetente të dalin me një njoftim zyrtar pas përfundimit të aksionit.
Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
