Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.P., i cili dyshohet për disa vepra penale që lidhen me narkotikët dhe armët. Sipas prokurorisë, i akuzuari ka poseduar pa autorizim rreth 449 gramë kokainë me qëllim shitjeje.
Gjatë hetimeve, të zhvilluara përmes masave të fshehta, janë dokumentuar komunikime që lidhen me shitblerjen e lëndëve narkotike, ndërsa gjatë bastisjes janë sekuestruar kokaina, një peshore elektronike dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës. Në aktakuzë përfshihet edhe akuza për posedim të paligjshëm të armëve.
Gjatë kontrollit në fshatin Mejë të Gjakovës, policia ka sekuestruar një armë zjarri, municion dhe pjesë armësh, të cilat i dyshuari dyshohet se i mbante pa leje. Po ashtu, Prokuroria pretendon se S.P. është marrë edhe me shitjen dhe ndërmjetësimin e armëve dhe municionit për persona të ndryshëm.
Këto dyshime mbështeten në provat e mbledhura gjatë hetimeve dhe në komunikimet e gjetura në telefonin e tij. Në kuadër të procedurës, prokurori ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e dy automjeteve, një Volkswagen Golf 7 dhe një Volkswagen Golf 8, si dhe të shumës prej 2,325 eurosh të sekuestruara gjatë operacionit.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
