Pse Spanja nuk është “kampione jozyrtare e botës”, edhe pse e fitoi

0%

Pse Spanja nuk është “kampione jozyrtare e botës”, edhe pse e fitoi Botërorin? Edhe pse Spanja është kampione e Kupës së Botës 2026, një tjetër kombëtare surprizë ka fituar titullin e “kampiones jozyrtare të botës”. Pas gjashtë javësh me ndeshje emocionuese dhe shumë polemika në Amerikën e Veriut, Kupa e Botës 2026 ka përfunduar.

Pas një fushate mbresëlënëse, gjatë së cilës pranoi vetëm një gol në gjithë turneun, Spanja u shpall kampione e botës falë fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finale.

Edhe pse shumëkush mendonte se nuk kishte bindur në fazat e hershme të turneut, paraqitja e Spanjës në këtë Botëror konsiderohet si një nga më të mirat e viteve të fundit, me kampionët e Evropës 2024 që konfirmuan statusin e tyre si skuadra më e mirë në botë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, ekziston edhe një kombëtare tjetër që mund të pretendojë se ka një “avantazh” ndaj kampionëve të botës 2026, pasi Spanja nuk është “kampionia jozyrtare e botës”. Ky titull i takon Turqisë, e cila, ndonëse u eliminua në mënyrë zhgënjyese që në fazën e grupeve të Kupës së Botës, u shpall sërish kampione jozyrtare e botës falë fitores 3-2 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Fushata e Turqisë në Botërorin 2026 ishte për t’u harruar për tifozët e saj, pasi kombëtarja u eliminua para ndeshjes së fundit të Grupit D ndaj SHBA-së, duke mos arritur të shënojë asnjë gol ndaj Australisë dhe Paraguait, pavarësisht se kishte regjistruar plot 62 goditje në dy takimet.

Megjithatë, fitorja e vetme në turne, ajo ndaj SHBA-së, i mjaftoi Turqisë për të marrë titullin e “kampiones jozyrtare të botës”, pasi amerikanët e kishin fituar këtë status më 19 qershor, kur mposhtën Australinë me rezultat 2-0 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve.

Australia e kishte mbajtur këtë titull që nga fillimi i Kupës së Botës, pasi e kishte fituar ndeshjen e parë ndja Turqisë, e kjo e fundit e kishte marrë këtë titull me një fitore ndaj Kosovës, në mars. Kampionati Jozyrtar Botëror i Futbollit (Unofficial Football World Championships – UFWC) është një sistem i krijuar nga tifozët për të përcaktuar kombëtaren më të mirë në botë.

Ideja lindi pasi Skocia mposhti Anglinë në vitin 1967. Renditja bazohet në statistika si numri i fitoreve, përqindja e fitoreve dhe diferenca e golave, duke marrë parasysh vetëm ndeshjet mes kombëtareve. Për të fituar titullin, një kombëtare duhet të mposhtë ekipin që mban aktualisht kurorën, duke marrë kështu statusin e kampiones së re jozyrtare.

Ky sistem funksionon në mënyrë të ngjashme me titujt linealë në sportet e luftimit. Anglia ishte fituesja e parë e këtij titulli pas fitores 4-2 ndaj Skocisë në mars të vitit 1873. Organizatorët e këtij klasifikimi e kanë rindërtuar historikun në mënyrë retrospektive, duke nisur nga ndeshjet e para ndërkombëtare mes Anglisë dhe Skocisë.

Dy kombëtaret britanike kanë dominuar historinë e këtij titulli. Skocia kryeson renditjen me 86 tituj të kampiones jozyrtare të botës, hera e fundit në mars të vitit 2007. Anglia e ka fituar këtë status 73 herë, për herë të fundit në qershor të vitit 2000, ndërsa Uellsi dhe Irlanda e Veriut e kanë fituar respektivisht 12 dhe pesë herë.

Turqia, mbajtësja aktuale e titullit, e ka fituar atë katër herë, duke u renditur në vendin e 33-të në tabelën historike. Në fund të renditjes ndodhen Curaçao, Izraeli, Sierra Leone, Koreja e Jugut dhe Venezuela, të cilat e kanë fituar këtë titull vetëm nga një herë.

Burimi: Bota Sot