Më 10 korrik u mbajtën takimet e para në mes të liderëve të partive politike që në fokus kishin hapjen e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja. Që nga ajo ditë nuk ka pasur më takime të dyta mes tyre.
Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, qe takuar ndaras me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por takimet patën përfunduar pa ndonjë rezultat konkret. Ndryshe nga Hamza e Abdixhiku pati vepruar Ardian Gjini i Aleancës. Ky nuk pranoi fare të takohet me Kurtin.
Një arsye pse qe dhjetë ditë nuk ka ftesa të dyta konsiderohet të jetë edhe Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, i cili është thirrur me pretendimin e një pjese të anëtarësisë për ta shkarkuar kryetarin Lumir Abdixhiku.
Fill pas deponimit të nënshkrimeve për thirrjen e këtij kuvendi, Abdixhiku njoftoi për pezullimin e bisedimeve për formimin e institucioneve deri në përfundimin e procesit të brendshëm të partisë. LVV si e vetme me partitë e komuniteteve joshumicë, megjithatë mund të konstituojë Kuvendin dhe të zgjedhë Qeverinë.
Atë që s’mund ta bëjë pa votat edhe të ndonjërës nga partitë e mëdha të ish-opozitës, është zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Belgzim Kamberi, analist politik konsideron se ftesat për takime të dyta nuk janë dërguar, jo vetëm për shkak të preferencës së LVV-së për koalicion me LDK-në, por edhe për shkak se Kurti nuk dëshiron t’i faktorizojë PDK-në dhe Aleancën.
“Prandaj vazhdon të mbetet në qëndrimin e deritanishëm se preferon një koalicion ‘vetëm’ me LDK-në.”- konsideron ai. Kamberi ka bindjen se me mosdërgimin e ftesave, Lëvizja Vetëvendosje synon të projektojë në publik imazhin e një partie të fortë, që nuk varet nga partitë e tjera për formimin e institucioneve.
“Njëkohësisht, duke qenë tashmë në pushtet, ajo vazhdon ta konsolidojë pozitën e saj politike, për të negociuar, nëse është e nevojshme, nga një pozicion edhe më i favorshëm.”- ka deklaruar Kamberi për Kallxo.com.
Faktorizimi i LDK-së Në tri palë zgjedhjet e fundit, nga shkurti i vitit 2025, Lëvizja Vetëvendosje publikisht ka deklaruar se preferon Lidhjen Demokratike si partnere të koalicionit apo të bashkëpunimit për formimin e institucioneve. LDK kishte marrë mbi 18% në zgjedhjet e shkurtit 2025, por në zgjedhjet e dhjetorit të të njëjtit vit ra në 13.24%.
Në zgjedhjet e qershorit 2026, ajo shënoi një ngritje të lehtë duke siguruar 16.69% të votave. Pavarësisht se në të tri palë zgjedhjet e fundit LDK ka dalë e treta, ajo ka qenë partia e preferuar e Kurtit për të bashkëpunuar. A do i faturohet LDK-së mosformimi i institucioneve nëse edhe kësaj radhe nuk do të ketë një marrëveshje me LVV-në?
Armend Zemaj, deputet i zgjedhur dhe njëri nga njerëzit që brenda LDK-së mblodhi dhe dorëzoi nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të partisë në mënyrë që të shkarkohet Abdixhiku, më , në emisionin ka thënë se është e gabueshme të thuhet se partia e tretë është fajtore që nuk ka institucione. “Cila është mundësia e partisë së tretë? Ne i kemi 18 deputetë.
Ku janë edhe 102 deputetë tjerë që e kanë shumicën për me e ba qeverinë. Kuvendin e ka të garantuar Albin Kurti”- ka thënë Zemaj. Ai konsideron se forma për të bërë qeverinë është në duart e Kurtit dhe LVV-së si parti e parë, e jo në duart e LDK-së. “A po preferon apo e do një LDK të nënshtruar?”- pyeti Zemaj kur po fliste për preferencën e LVV-së për bashkëpunim me LDK-në.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së ka thënë se partia pjesë e së cilës është ai, që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 ka marrë pjesë në takime për formim të institucioneve me LVV-në. “Sa negociata i ka zhvilluar kryetari i LDK-së me Albin Kurtin? Sa herë ka shkruar në takime? Sa herë i kemi dhënë shansin? Sa herë i kemi kërkuar president konsensual?
Sa herë i kemi tregu që 15 deputetët e dëshmojnë me nënshkrime publike që janë për zgjidhje? Këto janë retorikë dhe politikë e mashtrimit të VV-së e ndoshta edhe e të tjerëve për shkak të paaftësisë dhe mosguximit që të bëhen pjesë e ndërtimit të institucioneve.”- deklaroi Zemaj.
Belgzim Kamberi në anën tjetër ka thënë se gjendja e brendshme në LDK, sidomos në këtë fazë paszgjedhore e defaktorizon partinë në raport me çfarëdo negociate për formim të institucioneve.
“Për aq kohë sa ky proces mbetet i hapur, është e vështirë që partia të projektojë një pozicion të qartë dhe të qëndrueshëm negociues ndaj subjekteve të tjera politike.”- ka thënë ai, duke shtuar se vendimi i Abdixhikut për ndërprerjen e negociatave me LVV-në është i drejtë.
Se a do të dëmtohej LDK nga faktorizimi për formimin e institucioneve, Kamberi konsideron se kjo varet nga epilogu i procesit të brendshëm në LDK. “Nëse ai prodhon stabilitet, kohezion dhe një pozicion të qartë politik, partia mund ta ruajë ose edhe ta forcojë rolin e saj në formimin e institucioneve. Në të kundërtën, ky rol mund të zbehet.”- ka thënë ai.
Takimet e 10 korrikut Kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve të , Albin Kurti ka ftuar në takime veç e veç Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, si parti shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Derisa dy të parat pranuan të takohen me Kurtin, Aleanca ka refuzuar ftesën e tij.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, më ka njoftuar se nuk e sheh të arsyeshëm takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në përgjigjen e kthyer Kurtit, Gjini ka thënë se Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e presidentit nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës së tyre.
Aleanca ka kërkuar që institucionet e reja të pranojnë menjëherë projektin e gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, të bëjnë lirimin e tokave të punuara nga tatimi në pronë për të nxitur bujqësinë, të bëjnë buxhetimin e plotë të rrugëve për Gjilanin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën, si dhe për Prishtinën të ndahen nga 800 milionë deri në 1 miliard euro investime në infrastrukturë.
Bedri Hamza, kryetari i PDK-së, ndonëse para takimit kishte thënë se nuk kanë vija të kuqe të bashkëpunimit, pasi doli nga takimi, para mediave ka deklaruar se kjo parti qëndron në opozitë. “Ju e dini qëndrimin tim që unë kam dal me prioritete, në ekonomi, në energji, në arsim e Drejtësi. Për me u zbatu këto projekte PDK nuk ka vija të kuqe me askënd.
Bazuar në bisedat që kemi pas – normalisht korrekte – PDK është në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë suksese zotëri Kurtit dhe partive tjera.”- ka deklaruar Hamza pas takimit më . PDK pas një takimi të deputetëve të saj, më ka kërkuar formim të institucioneve pa vonesa.
“Deputetët e zgjedhur të PDK-së ritheksuan se Kosovës i duhen institucione të afta për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet vendi, duke u fokusuar në prioritetet e qytetarëve: zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”- thuhet në komunikatën e PDK-së. Kurtit më mirë i ka shkuar takimi me LDK-në.
Pas takimit me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, dhe bartësen e listës, Vjosa Osmani, ai ka deklaruar se marrëveshje nuk ka por është optimist. “Ishte takimi i parë. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit të Republikës, nënkryetarët, Qeverinë e presidentin apo presidenten.
Kemi diskutuar të gjitha këto por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që të mund ta ndaj me ju. Jam optimist për rrugën përpara”- ka deklaruar Kurti më . Më pas, Abdixhiku tha se do i pezullojë takimet konsultative për shkak të problemeve të brendshme në LDK, ku 148 delegatë kanë nënshkruar për të thirrur Kuvendin për shkarkimin e tij.
Kështu deklaroi ai pak pasi u raportua se është arritur një marrëveshje në parim në mes LVV-së dhe LDK-së. Zhvillimet në LDK Ndonëse pas takimit mes Kurtit e Abdixhikut u la një përshtypje se mund të gjendet rruga e bashkëpunimit mes LVV-së dhe LDK-së, tanimë gjithçka ka mbetur pezull.
Kjo pasi Lumir Abdixhiku lajmëroi se pas dorëzimit të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të LDK-së për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, konsideron se nuk mund të angazhohet në negociatat për formimin e institucioneve të vendit.
“Në këtë pikë më duhet t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, që i prisnin me të drejtë tash e sa kohë.
Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme nuk do të ishte as serioze, as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime” – ka theksuar Abdixhiku.
Gjatë këtij adresimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas tij, pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve pa asnjë vonesë do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
Sipas Statutit të LDK-së , Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin. Kuvendi i thirrur sipas paragrafit paraprak mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.
Mbledhja e nënshkrimeve për të thirrë Kuvendin e jashtëzakonshëm erdhi pasi që disa degë të LDK-së si Peja, Lipjani, Rahoveci, Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë, ajo e Deçanit, e Austrisë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit zgjedhor në qershor. Pasi që Abdixhiku refuzoi të dorëhiqej, filloi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e tij.
Dështimi i zgjedhjes së presidentit në prill dhe zgjedhjet e qershorit Vendi shkoi në zgjedhjet e mbajtura më pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan në zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.
Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha ishin kandidate për presidente, megjithatë në natën e nuk u arrit të konsumohet asnjëri rund i votimit për president dhe vendi shkoi në zgjedhje. Në atë seancë nuk morën pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në zgjedhjet e qershorit, LVV doli fituese dhe mori 53 ulëse në Kuvend, PDK 22 ulëse, LDK 18 dhe Aleanca 7 derisa 20 deputetë të tjerë u takojnë komuniteteve joshumicë. Për votimin e presidentit të vendit duhen së paku 80 vota në kuti në raundin e parë dhe të dytë, kurse në të tretin mjaftojnë vetëm 61 vota nga 120 të mundëshme.
Po ashtu, për t’u zgjedhur president në raundin e parë dhe të dytë duhet që njëri kandidat t’i ketë 80 vota e në të tretin mjaftojnë 61. Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda këtij afati 60 ditor, vendi shkon përsëri në zgjedhje.
