Pavarësisht përparimit në kornizën ligjore dhe zhvillimin e një peizazhi pluralist medial, Kosova vazhdon të përballet me sfida në garantimin e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Këto vlerësime u dhanë në konferencën për lansimin e raportit për lirinë e medias, të misionit faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve.
Se platforma mundëson raportimin e shpejtë të kërcënimeve ndaj lirisë së shtypit dhe reagimin e koordinuar të institucioneve dhe organizatave partnere, tha Mary-Ann Hennessey, nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Hennessey: Mundëson raportim të shpejtë të kërcënimeve ndaj lirisë së shtypit “ Platforma e Këshillit të Evropës për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve bashkon organizata ndërkombëtare, joqeveritare dhe shoqata të gazetarëve, duke mundësuar raportim të shpejtë të kërcënimeve ndaj lirisë së shtypit dhe duke lehtësuar reagime të koordinuara nga shtetet tona anëtare dhe partnerët.
Edhe pse Kosova ende nuk është shtet anëtar, platforma dhe organizatat e saj partnere vazhdojnë të monitorojnë dhe të ndjekin raportet e misioneve tona aktuale për mbledhjen e fakteve….Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në peizazhin pluralist të mediave, dhe të gjithë ata që janë të pranishëm këtu, përfshirë qeverinë, gjyqësorin, mediat dhe shoqërinë civile ”, tha ajo.
Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, tha se liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë vlera themelore demokratike dhe pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Gertruda: Vazhdojnë të vlerësohen nga afër si pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian “ Ndërsa Kosova përparon në rrugën e saj drejt integrimit evropian, liria e medias dhe siguria e gazetarëve mbeten vlera themelore demokratike, thelbësore për këtë proces.
Ato janë të rëndësishme për një demokraci të gjallë, për respektimin e të drejtave themelore dhe sundimin e ligjit, dhe vazhdojnë të vlerësohen nga afër si pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për gazetarinë e pavarur, përfshirë shmangien e gjuhës denigruese, si dhe një kornizë ligjore dhe qeverisje të barabartë, janë po ashtu të rëndësishme. Kjo forcon trajnimin publik të gazetarëve. Hetimet efektive, procedurat gjyqësore në kohë dhe zbatimi i vazhdueshëm i ligjit për të parandaluar sulmet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen.
Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës ”, tha ai. Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, vlerësoi përparimin në zhvillimin e kornizës ligjore, por tha se vazhdojnë të mbeten sfida serioze në fushën e lirisë së medias.
Laaksonen: Në të njëjtën kohë, ky raport na rikujton se sfida serioze ende mbeten “ Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në zhvillimin e kornizës së saj ligjore. Në të njëjtën kohë, ky raport na rikujton se sfida serioze ende mbeten.
Adresimi i tyre është thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës, e cila tashmë është përmendur këtu. Kjo rrugë kalon përmes një terreni ku një shtyp i lirë, siguria pa frikë dhe institucionet e pavarura nuk janë shpërblimi në fund të procesit. Përkundrazi, ato janë vetë themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet ky udhëtim.
Megjithatë, liria dhe përgjegjësia shkojnë krah për krah. Derisa mbrojtja e gazetarëve është thelbësore, po aq të rëndësishme janë edhe pavarësia editoriale, transparenca e pronësisë së mediave dhe standardet e larta profesionale ”, theksoi ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agron Maxhuni, tha se lëndët që lidhen me mediat trajtohen me prioritet në kuadër të planit strategjik për qasje në drejtësi.
Maxhuni: Ato lëndë kanë karakter me prioritet “ Ajo çka është e rëndësishme të potencohet ne përveç planit strategjik për qasje në drejtësi, kemi arritur që në bashkëpunim me partner dhe me shoqëri civile të kategorizojmë lëndët me prioritet dhe në kuadër të këtij kategorizimi përfshihen të gjitha lëndët e fushës civile por edhe fushës penale.
Në momentin kur ka të bëjë me media, por edhe rezultati i institucioneve, respektivisht që lidhet me media në Kosovë, ato lëndë kanë karakter me prioritet, siç është përcaktuar plani strategjik për qasje në drejtësi nga KGJK. Kemi një numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve të cilët e mbulojnë në mënyrë të veçantë të fushës civile ”, tha Maxhuni.
