Rusia thotë se është e hapur për dialog me Evropën, por refuzon ultimatumet

0%

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Moska zyrtare ka njoftuar të premten se është e hapur për dialog me vendet evropiane, por nuk do të pranojë ultimatume, teksa po shtohen sinjalet se Bashkimi Evropian mund të kërkojë bisedime me Moskën pas shmangies së kontakteve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se logjika e shëndoshë dikton nevojën për kontakte të tilla, si theksoi, duke pasur parasysh numrin e madh të çështjeve komplekse në agjendë. Megjithatë, ai theksoi se vendet evropiane duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Rusisë. “Evropianët kanë një keqkuptim shumë serioz.

Ata supozojnë se negociatat me Rusinë duhet të zhvillohen nga një pozicion force dhe duke u mbështetur në dobësinë e Rusisë. Ky është gabimi më i madh. Një qasje e tillë nuk do të çojë askund”, u tha ai gazetarëve. “A buron kjo nga paaftësia e evropianëve, nga dezinformimi apo nga budallallëku? Nuk e dimë me siguri, por ky është një fakt”, shtoi Peskov.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime me qeveritë evropiane, por se hapi i parë duhet të vijë prej tyre, pasi sipas tij ishin vendet evropiane ato që ndërprenë marrëdhëniet me Moskën. Bashkimi Evropian ka miratuar 20 pako sanksionesh kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, raporton Reuters.

Pasi për më shumë se një vit qëndroi jashtë përpjekjeve diplomatike dhe ia la Donald Trumpit ndërmjetësimin për t’i dhënë fund konfliktit, Bashkimi Evropian ka nisur të hapë me kujdes kanalet e komunikimit me Rusinë.

Zyra e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar javët e fundit “kontakte të shkurtra në nivel diplomatik” me Kremlinin për të hapur kanalet e komunikimit, tha të mërkurën një zyrtar i BE-së.

Ndërkohë, kancelari austriak Christian Stocker deklaroi në një intervistë për Financial Times, të publikuar të enjten, se Bashkimi Evropian duhet të përfitojë nga “momenti i favorshëm” i krijuar rreth bisedimeve për paqen në Ukrainë dhe të shtyjë përpara përpjekjet për rifillimin e negociatave me Putinin.

Peskov tha se Rusia është e gatshme për dialog nëse pala tjetër tregon vullnet për bisedime të vërteta, “jo për moralizime apo, veçanërisht, për vendosjen e ultimatumeve”. Megjithatë, nisma e Costës ka nxjerrë në pah ndarje brenda Bashkimit Evropian.

Në samitin e liderëve evropianë në Bruksel, disa shtete anëtare u shprehën se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe se BE-ja duhet të përqendrohet në rritjen e presionit ndaj Rusisë.

Nga ana tjetër, Ukraina pretendon se po e kthen situatën në favor të saj falë intensifikimit të sulmeve me dronë në thellësi të territorit rus, të cilat kanë goditur porte, rafineri dhe infrastrukturë tjetër strategjike. Moska e kundërshton këtë vlerësim dhe këmbëngul se do të vazhdojë luftimet për të arritur objektivat e saj nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike.

Guvernatori i rajonit të Moskës njoftoi të premten se një vajzë tetëvjeçare humbi jetën gjatë një sulmi masiv ukrainas që goditi kryeqytetin rus dhe zonat përreth një ditë më parë. Sulmi, i kryer me qindra dronë, shkaktoi për herë të dytë brenda tri ditësh zjarr në një rafineri të madhe nafte në juglindje të Moskës. “Sulmet me dronë vazhdojnë.

Po merren masat e nevojshme për të zbutur pasojat e tyre”, tha Peskov. I pyetur nëse Putini kishte parë pamjet e rafinerisë në flakë, Peskov u sugjeroi gazetarëve të shihnin edhe imazhet nga qytetet ukrainase që janë goditur nga forcat ruse. “Këto sulme do të vazhdojnë”, deklaroi ai.

Burimi: Koha