Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi dhe tetë anëtarë të ekipit të saj të produksionit, përfshirë muzikantë, raportohet se janë dënuar me 74 goditje me kamxhik për shkak të një koncerti të transmetuar live në kanalin e saj në YouTube në vitin 2024.
Sipas dokumenteve gjyqësore, gjykata penale e provincës së Qomit i ka dënuar artistët edhe me ndalim udhëtimi jashtë vendit për dy vite, si dhe ndalim të ushtrimit të aktiviteteve artistike për dy vite. Akuzat lidhen me “fyerje të moralit publik” përmes prodhimit dhe publikimit të përmbajtjeve të cilësuara si “të pahijshme dhe imorale” në internet, raporton The Guardian.
Megjithëse media zyrtare e sistemit gjyqësor nuk e ka publikuar ende vendimin, organizata për të drejtat e njeriut dhe avokatë që kanë parë dokumentet thonë se rastet e tilla ndaj artistëve që sfidojnë publikisht autoritetet pasqyrojnë një përpjekje më të gjerë për të frenuar mospajtimin kulturor.
Në dhjetor të vitit 2024, këngëtarja 29-vjeçare interpretoi këngën patriotike “Az Khoone Javanane Vatan (From the Blood of the Youth of the Homeland)” pa hixhab gjatë një transmetimi live që u bë viral. Ajo u ndalua përkohësisht së bashku me disa muzikantë menjëherë pas publikimit, por më pas u lirua.
Autoritetet më vonë hapën një çështje zyrtare për publikimin e videos, e cila ka mbledhur miliona shikime në YouTube. Bahar Ghandehari, drejtoreshë e avokimit në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në SHBA, deklaroi se: “Dënimi i Ahmadi-t me 74 goditje për thjesht të kënduarit dhe paraqitjen pa hixhab është një tjetër kujtesë se gjendja e të drejtave të njeriut në Iran nuk ka ndryshuar, pavarësisht fushatave propagandistike të autoriteteve iraniane për përmirësimin e imazhit të tyre.” Ajo shtoi se kontrasti mes imazhit që autoritetet përpiqen të paraqesin dhe ndjekjes penale të artistëve zbulon “hendekun mes propagandës së regjimit dhe realitetit”.
Moein Khazaeli, avokat për të drejtat e njeriut në Dadban, një qendër këshillimi ligjor për aktivistët iranianë, tha se ky dënim nuk ka bazë ligjore. “Të kënduarit, interpretimi i muzikës dhe prodhimi apo shpërndarja e veprave muzikore nga gratë nuk përbëjnë vepër penale sipas ligjit penal iranian.
Për rrjedhojë, aktivitete të tilla nuk mund të konsiderohen në mënyrë të arsyeshme si ‘prodhim, shpërndarje ose publikim i përmbajtjes së pahijshme’”, tha ai. “Vendosja e dënimit me kamxhik ndaj artistëve, aktivistëve të shoqërisë civile apo qytetarëve të tjerë nuk është thjesht çështje e ligjit penal të brendshëm.
Ajo ngre gjithashtu shqetësime serioze në lidhje me detyrimet ndërkombëtare të shteteve për të ndaluar torturën dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor.
Për këtë arsye, shumë organizata për të drejtat e njeriut e konsiderojnë kamxhikimin jo si një formë legjitime ndëshkimi, por si një formë torture dhe trajtimi çnjerëzor.” Për artistët iranianë, ky vendim, edhe pse jo i papritur, ka shtuar frikën për një përshkallëzim të represionit kulturor.
Aktorja iraniano-britanike Nazanin Boniadi deklaroi: “Dënimi i këngëtares Parastoo Ahmadi me kamxhik për aktin e thjeshtë të këndimit në publik pa hixhab është një kujtesë e fortë se, pavarësisht diskutimeve në Uashington për një ‘regjim të ri’ në Iran, mekanizmi shtypës i Republikës Islamike mbetet i pandryshuar.
Të tolerosh një regjim që ndëshkon gratë me kamxhik për zërin e tyre dhe vret qytetarë sepse kërkojnë të drejtat e tyre, vetëm sa e inkurajon atë të vazhdojë rrugën e tij tiranike.”
