Ethet afrikane të derrit kanë shkaktuar shqetësim në Serbi, pasi virusi është përhapur në disa rajone të vendit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në zonat e prekura. Sipas Ministrisë së Bujqësisë së Serbisë, sëmundja është evidentuar në shtatë qarqe dhe 52 vendbanime, ndërsa rastet e reja janë raportuar edhe pranë kufirit me Kroacinë.
Autoritetet kanë vendosur masa të rrepta kontrolli në disa komuna, përfshirë Rumën, Obrenovcin, pjesë të Sremska Mitrovicës dhe Shabacin, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit.
Ministri i Bujqësisë, Dragan Glamoçiq, ka paralajmëruar se asgjësimi i papërshtatshëm i kafshëve të ngordhura përbën rrezik serioz për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes dhe ka kërkuar respektim të rregullave të biosigurisë. Që nga shpërthimi i epidemisë, rreth 28 mijë derra janë vrarë ose kanë ngordhur, ndërsa disa fermerëve u është ndaluar përkohësisht rritja e derrave.
Autoritetet serbe theksojnë se bartës kryesorë të virusit janë derrat e egër dhe aktiviteti njerëzor, ndërsa kushtet aktuale, përfshirë niveli i ulët i ujit në Danub, mund të lehtësojnë përhapjen e sëmundjes. Ethet afrikane të derrit nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve, por te derrat shkaktojnë një sëmundje shumë të rëndë me shkallë të lartë vdekshmërie.
Serbia ka forcuar bashkëpunimin mes institucioneve veterinare, pushtetit lokal dhe shërbimeve të sigurisë për të kufizuar përhapjen e virusit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
