Spanja po përballet me një valë të fuqishme zjarresh pyjore, të cilat kanë përfshirë disa rajone të vendit dhe kanë shkatërruar rreth 50 mijë hektarë tokë, ndërsa autoritetet vazhdojnë betejën për vënien nën kontroll të flakëve. Dy vatra të mëdha zjarri mbeten ende aktive, njëra pranë La Mierla në provincën e Guadalajara dhe tjetra afër Orés në provincën e Zaragozës.
Sipas autoriteteve, këto konsiderohen ndër zjarret më të mëdha dhe më shkatërruese të këtij viti në Spanjë. Zjarri në zonën e La Mierla, rreth 100 kilometra në verilindje të Madridit, shpërtheu të enjten dhe deri tani ka djegur afro 9.900 hektarë.
Operacionet e shuarjes po përqendrohen në pikat më kritike, ndërsa erërat e forta vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve dhe të vështirësojnë punën e ekipeve në terren. Për shkak të rrezikut, banorët e disa fshatrave janë evakuuar si masë parandaluese, ndërsa autoritetet po monitorojnë vazhdimisht situatën për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Garda Civile ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e zjarrit, me dyshimet e para që lidhen me punime bujqësore gjatë sezonit veror. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 450 zjarrfikës dhe pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës, të mbështetur nga mjete tokësore dhe ajrore, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për mbrojtjen e zonave të banuara dhe izolimin e vatrave aktive.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
