Gjermani, taksa mbi sheqerin – të ardhura për sigurimin shëndetësor

0%

Qeveria gjermane pret të arkëtojë 650 milionë euro të ardhura vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar mbi pijet me sheqer. Ato do të shkojnë në mbështetje të fondeve të sigurimit shëndetësor ligjor. Rreth 650 milionë euro pritet të mbledhë qeveria gjermane vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar , e quajtur taksa mbi sheqerin.

Këtë e deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken (CDU), për rrjetin editorial gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND). Taksa do të aplikohet për pijet e ëmbëlsuara me sheqer.

Komisioni i ngritur nga qeveria në Gjermani ka rekomanduar një taksë të shkallëzuar sipas përmbajtjes së sheqerit: Nëse një pije përmban më shumë se 5 gramë sheqer për 100 mililitra, prodhuesit do të paguajnë rreth 26 cent për litër. Për pijet me më shumë se 8 gramë sheqer për 100 mililitra, tarifa do të jetë 32 cent për litër.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Warken, nga të ardhurat shtesë do të përfitojnë fondet ligjore të sigurimit shëndetësor. “Paketa e kursimeve parashikon që sigurimi shëndetësor të marrë më shumë mjete nga taksat”, shpjegoi ministrja.

“Detajet do t’i përcaktojmë së bashku me Ministrinë e Financave.” Ajo shtoi se qeveria synon të veprojë në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të Komisionit Financiar për Shëndetësinë, të cilin e ka ngritur vetë.

Taksa mbi sheqerin – mjet për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore Fakti që taksa mbi sheqerin, e diskutuar prej vitesh, tani pritet të bëhet realitet, lidhet me vështirësitë financiare të fondeve ligjore të sigurimit shëndetësor. Kjo taksë është një nga 66 propozimet e komisionit të ekspertëve për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore publike.

Përveç të ardhurave që do të sjellë kjo taksë, ekspertët vlerësojnë se fondet e sigurimit do të kursejnë edhe më shumë para në afat të gjatë, pasi mund të parandalohet përhapja e sëmundjeve të lidhura me konsumimin e tepërt të sheqerit, si për shembull diabeti. Vende të tjera, si Britania e Madhe, e kanë vendosur prej kohësh një taksë të tillë për pijet e ëmbëlsuara me sheqer.

Në Gjermani, politika deri më tani ishte mbështetur kryesisht te vullneti i industrisë për të ulur përmbajtjen e sheqerit dhe te ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të bërë vetë zgjedhje më të shëndetshme/ DW /.

Burimi: Kallxo