INSTAT: Italianët mbizotërojnë turizmin në Shqipëri, pasojnë Kosova

0%

Në mesin e sezonit veror, Shqipëria mbetet një nga destinacionet e preferuara nga shumë turistë të huaj. Edhe në këto ditë të nxehta korriku, Tiranën po e vizitojnë shumë qytetarë europianë. RTSH bisedoi me turistë të ardhur edhe nga përtej kontinentit, nga Amerika, por edhe me fqinjët italianë. “Unë vij nga New Yorku, por jam shtetas italian.

Kemi mbërritur këtu dhe Tirana më duket një vend shumë i bukur. Ka ndryshuar mjaft si qytet dhe më duket interesant me ndërtesat e larta. Do të shkoj edhe në det. Njerëzit dhe qyteti janë plot jetë.” “Për mua nuk është hera e parë. Kam qenë këtu në vitin 2023. Unë ndihem pjesë e Shqipërisë. Ndihem sikur kam lindur këtu. Unë jetoj në jug të Italisë dhe më duket sikur jemi të njëjtë.

Kur hyj në restorant më përshëndesin në italisht. Ndihem e nderuar.” “Jemi këtu për të bërë një tur në Shqipëri, për të shkuar më pas në Malin e Zi. Do të marrim me vete një kujtim të bukur të këtyre ditëve dhe një konsideratë të madhe për shqiptarët”, thanë disa prej turistëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky i ri nga Amerika në Shqipëri nuk ka gjetur vetëm një vend të bukur, por edhe partneren e jetës, një vajzë shqiptare. “Për mua nuk është hera e parë në Shqipëri, pasi bashkëshortja ime është shqiptare”, tha ai. Në muajin maj, numri i vizitorëve që kanë vizituar Shqipërinë ka qenë më i lartë.

Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 12,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 29,8%, nga 28,7% një vit më parë, duke sinjalizuar përdorim më të lartë të kapaciteteve akomoduese.

Italia mbetet tregu kryesor i turistëve të huaj me 19% të totalit, e ndjekur nga Kosova me 11%, Gjermania me 10%, Franca me 9% dhe Polonia me 6%. Rajoni i Veriut regjistroi rritjen më të fortë të vizitorëve të huaj, nga rreth 47 mijë në mbi 73 mijë, ndërsa edhe rajoni i Jugut shënoi rritje të ndjeshme.

Burimi: Bota Sot