Xavi Hernandez ka zbuluar planet e tij për të ardhmen në karrierën si trajner, duke bërë të ditur se dëshiron të marrë drejtimin e një kombëtareje, dy vite pas largimit nga Barcelona. Legjenda e klubit katalanas u shpreh se një aventurë me një përfaqësuese do të ishte zgjedhja ideale për të, pasi do t’i lejonte të kombinonte më mirë profesionin me jetën familjare.
“Po e them hapur: hapi im i ardhshëm mund të jetë një kombëtare. Kjo mund të jetë zgjedhja e duhur për mua”, deklaroi Xavi në një intervistë për RNE. Trajneri 45-vjeçar theksoi se ritmi i punës në futbollin e klubeve është shumë intensiv dhe nuk i jep mundësi të kalojë mjaftueshëm kohë me familjen. “Kam familje dhe fëmijë të vegjël.
Një klub nuk do të më lejonte të kaloja aq shumë kohë me ta”, u shpreh ai. Xavi tha se ëndrra e tij është të marrë pjesë në turne të mëdha ndërkombëtare si Kupa e Botës, Kampionati Evropian, Kupa e Kombeve të Afrikës apo Kupa e Azisë.
Ish-mesfushori i Spanjës drejtoi Barcelonën për afro tri sezone, ku arriti të fitojë La Ligën në sezonin 2022/23 dhe Superkupën e Spanjës, përpara se të largohej në vitin 2024 pas rezultateve negative. Më herët, Xavi kishte drejtuar edhe Al Sadd në Katar, ku fitoi shtatë trofe. Si futbollist, ai ishte një nga liderët e Spanjës që triumfoi në Kupën e Botës 2010.
Në stolin e Barcelonës, Xavi zhvilloi 143 ndeshje, me 90 fitore, 24 barazime dhe 29 humbje.
