LeBron James ka “paralizuar” NBA-në, e gjithë liga pret vendimin e tij

0%

LeBron James, i cili së shpejti mbush 42 vjeç dhe pritet të hyjë në sezonin e fundit të karrierës së tij, po e mban të gjithë NBA-në në pritje. Që nga momenti kur njoftoi largimin nga Los Angeles Lakers dhe u bë lojtar i lirë, kanë kaluar më shumë se dy javë, por ende nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën.

Kjo pasiguri nuk po ndikon vetëm te tifozët dhe klubet, por edhe te drejtuesit e NBA-së. Komisioneri Adam Silver nuk dëshiron të finalizojë kalendarin e sezonit të ri pa mësuar destinacionin e ri të njërit prej basketbollistëve më të mëdhenj në histori.

Liga zakonisht planifikon ndeshjet më tërheqëse të javës hapëse dhe të programit tradicional të Krishtlindjeve duke u bazuar te skuadrat pretendente dhe yjet më të mëdhenj, prandaj vonesa e vendimit të James po ndikon në të gjithë organizimin. “Zgjedhja e klubit nga ana e tij do të ndikojë drejtpërdrejt në kalendar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Klubet dhe transmetuesit televizivë na telefonojnë vazhdimisht, sepse të gjithë duan që të përcaktojmë programin. Kjo ndikon në gjithçka, nga ndeshjet e javës së parë deri te ato të Krishtlindjeve. Do të doja që sa më shpejt ta bënte publik vendimin, në mënyrë që ta përfundojmë kalendarin. Na duhet vendimi i tij”, deklaroi Adam Silver.

Vetë LeBron James është shfaqur ditët e fundit në disa aktivitete publike, por nuk ka zbuluar asnjë detaj për të ardhmen e tij. “Nuk do t’ju bëj të prisni edhe shumë gjatë”, u shpreh shkurt ai. Sipas gazetarëve kryesorë amerikanë që mbulojnë NBA-në, vendimi i shumëpritur mund të bëhet publik në fillim të javës së ardhshme.

Sipas raportimeve, favorit për ta rikthyer LeBronin është Cleveland Cavaliers, klubi ku ai nisi karrierën në NBA dhe me të cilin fitoi titullin historik në vitin 2016. Në garë mbetet edhe Miami Heat, skuadra me të cilën fitoi dy tituj kampionë në vitet 2012 dhe 2013, ku mund të formojë një dyshe të fuqishme me Giannis Antetokounmpo.

Mes skuadrave që përmenden si destinacione të mundshme janë edhe Philadelphia 76ers, Golden State Warriors dhe Minnesota Timberwolves.

Burimi: Bota Sot