Kapiteni i Spanjës, Rodri, ka deklaruar para finales së Kupës së Botës ndaj Argjentinës (e diel, ora ) se skuadrën e tij e pret “ndeshja e jetës”, ndërsa theksoi se çelësi i suksesit do të jetë guximi dhe mentaliteti fitues. “U kam thënë djemve se duhet ta dëshirojmë fitoren më shumë sesa t’i frikësohemi humbjes. Me këtë frymë duhet të dalim në fushë.
E dimë se përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, që di si fitohen Kupat e Botës. Kjo është ndeshja e jetës sonë”, tha Rodri në një intervistë për gazetën ‘AS’. Mesfushori, i cili muajin e kaluar mbushi 30 vjeç, tha se Spanja hyn në finale e qetë, por plotësisht e vetëdijshme për sfidën ndaj kampiones në fuqi të botës.
Rodri shtoi se pas dëmtimit të rëndë te Manchester City dhe rikthimit gradual në ritmin e garave, tani ndihet në formën më të mirë të sezonit. “Para Kupës së Botës thashë se më duhej edhe pak ritëm. Tani ndihem më mirë se në çdo moment tjetër të këtij sezoni”, u shpreh ai, duke theksuar se rikuperimi ishte planifikuar me kujdes për të qenë plotësisht gati për fazën vendimtare të turneut.
Sipas tij, Spanja e ka ngritur nivelin e lojës hap pas hapi gjatë kampionatit. “Nuk donim t’i zbulonim të gjitha kartat që në fillim. Ekipi ka treguar pjekuri dhe versionin më të mirë e ka shfaqur në fazën me eliminim direkt”, tha Rodri. Duke folur për sulmuesin 19-vjeçar Lamine Yamal, ai e lavdëroi zhvillimin e tij, por theksoi se ka ende hapësirë për përmirësim.
“Ai është në një nivel shumë të lartë. Mbi të gjitha vlerësoj kontributin e tij pa top dhe sakrificën për ekipin. Goli do të vijë, por për mua më e rëndësishme është gjithçka tjetër që i jep skuadrës”, deklaroi kapiteni spanjoll. Për finalen ndaj Argjentinës, Rodri pret një ndeshje ndryshe nga gjysmëfinalja kundër Francës.
“Argjentina është një skuadër kolektive që e pëlqen posedimin e topit, është agresive dhe ka shumë futbollistë cilësorë. Duhet të gjejmë mënyrën për ta rrezikuar me armët tona dhe të zhvillojmë një ndeshje të plotë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje”, tha ai. Ai veçoi edhe Lionel Messin, duke theksuar se kërkon vëmendje të veçantë. “Së pari duhet ta mbajmë sa më larg zonës së rrezikshme.
Kur duhet ta markojmë, duhet të jemi pranë tij dhe agresivë. Por Argjentina është shumë më tepër sesa vetëm Messi”, u shpreh Rodri, duke e quajtur kapitenin argjentinas “futbollistin më të madh të të gjitha kohërave”. Sa i përket të ardhmes së tij te Manchester City, ai nuk dëshiroi të flasë. “Kam kontratë me klubin tim dhe për këtë do të merrem vetëm pasi të përfundojë Kupa e Botës.
Tani i gjithë fokusi është te finalja”, theksoi ai. Në fund, Rodri u bëri thirrje tifozëve spanjollë të qëndrojnë pranë kombëtares. “Le të jenë me ne si gjatë gjithë këtij kampionati. Futbolli është diçka që i bashkon njerëzit dhe shpresoj që të gjithë të na mbështesin para ekraneve” , përfundoi kapiteni i Spanjës.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës është njëkohësisht përballja mes kampiones së Evropës dhe kampiones së Amerikës së Jugut. Ky duel ishte planifikuar të zhvillohej në Katar gjatë pranverës, por u anulua për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
