​KB Drita pa licencë për Superligë, kryetari i klubit flet për dëmin,

0%

Klubi i basketbollit “Drita”, nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës, pavarësisht se e fitoi në parket të drejtën për të qenë pjesë e elitës.

Klubi gjilanas e cilësoi vendimin si një moment jashtëzakonisht të dhimbshëm, duke theksuar se nuk mbeti jashtë për shkak të mungesës së rezultateve sportive apo organizimit, por si pasojë e mungesës së një palestre të licencuar për zhvillimin e ndeshjeve si vendas.

Në deklaratën zyrtare, drejtuesit e klubit thanë se, pavarësisht përpjekjeve të shumta për të gjetur një alternativë në komuna të ndryshme, nuk arritën të sigurojnë një objekt që plotësonte kriteret për licencim, ndërsa e konsideruan situatën një dështim të infrastrukturës sportive dhe të mbështetjes institucionale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kryetari i KB Drita, Enis Islami, tha për KosovaPress, se moslicencimi është një goditje e rëndë për klubin, pas gjithë sakrificës së bërë për ta siguruar ngjitjen në Superligë. “Lajmi i moslicencimit është i dhimbshëm për shkak se kemi dhënë një kontribut gogja të madh; kontributi i lojtarëve dhe i stafit ka qenë shumë i madh për të mbërritur këtu në Superligë.

Kemi pasur takime me kryetarin, qe dy muaj jemi duke u marrë me sigurimin e një palestre, pasi në Gjilan nuk është e kryer. Kemi shikuar në komuna të tjera, si në Kaçanik, ku nuk është bërë licencimi, në Ferizaj, ku nuk kanë qenë kushtet, po ashtu edhe në Obiliq e as në Kamenicë, që nuk i kanë plotësuar kushtet.

Kemi pasur nonstop kontakt me Albanin, e kemi njoftuar që jemi duke lypur palestër, por 90% nuk i kanë plotësuar kushtet”, u shpreh Islami.

Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, e cilësoi situatën si një lajm shumë dekurajues jo vetëm për klubin, por edhe për qytetin e Gjilanit, duke theksuar se problemi kryesor mbetet mungesa e infrastrukturës sportive. “Lajmi është jashtëzakonisht i keq, është shumë dekurajues për Dritën dhe për qytetin e Gjilanit.

Fakti që kanë mbërritur në terren edhe me rezultate sportive ta kalojnë atë pengesë aq të madhe që quhet Liga e Parë për të hyrë në Superligë, por mandej nuk mbërrijnë me u licencu për shkak të mungesës së palestrës në realitet.

Domethënë është diçka që e kemi pasur si rrezik edhe në momentin kur është fituar e drejta në terren për të hyrë në Superligë, po për të cilën ne kemi dashur ta evitojmë. Jemi munduar që ta tejkalojmë këtë situatë në njëfarë forme duke kërkuar palestër për KB Dritën kudo në atë rajon në realitet.

Realiteti është që palestër për me i zhvillu garat e Superligës në Kosovë i kemi tetë a nëntë të krejt, edhe palestra në Gjilan është në renovim”, the Fetahu në SpotCast. Fetahu bëri të ditur se, pas moslicencimit të KB Dritës, FBK-ja do të hapë procedurën për plotësimin e vendit të lirë në Superligë përmes sistemit të “ëildcard”-it.

“Ne jemi në bazë të akteve tona, ne së pari këtë ofertë duhet ta hapim për të gjithë. I bie për të gjithë nga Liga e Parë që e kanë fituar të drejtën në Ligën e Parë. Në anën tjetër për Vëllaznimin e kemi një borxh të veçantë për shkak të asaj turbullire që ndodhi vitin e kaluar, domethënë jemi marrë vesh që me e hap këtë mundësi.

Natyrisht ne duhet ta hapim për të gjithë, përfundimisht duhet me e pa se cili do të jetë ai klub i cili mund ta zëvendësojë. Ëildcard-a do të hapet me patjetër, domethënë ky është një vendim që nuk mund t’i ikim kësaj, duhet të aplikojnë të gjithë, ne do t’i kemi parasysh të gjitha aplikimet” , bëri të ditur Fetahu.

Kryetari i KB Drita theksoi gjithashtu se vendimi ka shkaktuar pasoja të mëdha financiare për klubin, i cili kishte investuar ndjeshëm për të siguruar ngjitjen në elitën e basketbollit kosovar. “Na ka dëmtuar kogja shumë, sepse ne kemi luftuar për Superligë, nuk kemi luftuar për të luajtur në Ligë të Parë.

Normal që është dëmtuar klubi si klub, sepse investimet kanë qenë shumë të mëdha për të mbërritur këtu ku jemi, pasi konkurrencën e kemi pasur shumë të fortë dhe u desh të marrim lojtarë gogja të mirë për të mundur konkurrencën e Ligës së Parë e për të dalë në Superligë” , theksoi Islami.

Rasti i KB Dritës rikthen në vëmendje problemin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive në Kosovë, ku klubet, pavarësisht suksesit të arritur në fushën e lojës, mund të mbeten jashtë garave elitare për shkak të mosplotësimit të kushteve infrastrukturore.

Burimi: Bota Sot