Pak para finales së Kupa së Botës 2026, vëmendja nuk është vetëm te skuadrat që do të luftojnë për titullin, por edhe te trofeu më i famshëm në futboll – Kupa e Botës FIFA. Pas këtij simboli që ngrihet nga kapitenët kampionë qëndron historia e një skulptori italian nga Milano, Silvio Gazzaniga.
Gazzaniga ishte krijuesi i dizajnit të trofeut aktual të Kupës së Botës, pasi FIFA kërkoi një trofe të ri pas vitit 1970, kur Brazili fitoi për herë të tretë turneun dhe mori përgjithmonë trofeun e vjetër Jules Rimet. Skulptori italian e krijoi modelin në studion e tij në lagjen Brera të Milanos.
Dizajni i tij u zgjodh mes më shumë se 50 propozimeve dhe paraqet dy figura njerëzore që ngrihen drejt një globi, duke simbolizuar përpjekjen e sportistit, gëzimin e tifozëve dhe momentin e triumfit. Trofeu u përdor për herë të parë në Kupën e Botës 1974 në Gjermani dhe që atëherë është bërë një nga objektet më të njohura në historinë e sportit botëror.
Edhe pse quhet “Kupa e Botës”, skuadrat fituese nuk e mbajnë përgjithmonë trofeun origjinal; ai ruhet nga FIFA, ndërsa kampionët marrin një kopje për kujtim. Gazzaniga, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, krijoi një simbol që sot lidhet me ëndrrën më të madhe të çdo futbollisti: ngritjen e trofeut të Kupës së Botës para miliona tifozëve në mbarë botën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
