Rritet presioni gjerman pas deklaratës skandaloze për Kosovën të

0%

Deklarata e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, se nëse do të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, ka shkaktuar reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar zyrtarë të lartë nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, duke kërkuar largimin e saj nga detyra dhe duke e cilësuar deklaratën të papranueshme. Eurodeputeti gjerman nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP), Michael Gahler, tha se deklarata të tilla nga një ministre e një vendi kandidat për anëtarësim në BE nuk mund të injorohen.

“Deklarime të këtilla nga një ministre e një vendi kandidat nuk mund të injorohen: më 11 korrik, ministrja serbe Paunoviq tha në një intervistë televizive se, sikur të kishte qenë në vend të Millosheviqit më 1998, ajo ‘do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët’”. “Pres që ajo të shkarkohet nga detyra”, shkroi Gahler në platformën X.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Reagim ka bërë edhe deputetja e Bundestagut gjerman për rrethin Böblingen, Jasmina Hostert, e cila e dënoi deklaratën e ministres serbe, duke thënë se ajo bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare. “Është e papranueshme.

Kushdo që justifikon spastrimin etnik po tall viktimat e Luftës së Kosovës dhe po shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar Hostert. Ajo ka kërkuar gjithashtu që Paunoviq të largohet nga detyra. “Nuk duhet të ketë vend për fjalë të tilla në një qeveri demokratike; ato dëmtojnë paqen në Ballkanin Perëndimor.

Ministri duhet të japë dorëheqjen”, ka deklaruar deputetja gjermane. Kundër deklaratës së ministres serbe ka reaguar edhe deputeti i Bundestagut për Hanoverin Verior, Adis Ahmetoviq. “Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Kjo përfshin edhe Serbinë.

Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që buron nga disa qeveri, nuk ka vend në bashkësinë tonë evropiane të vlerave”, ka shkruar Ahmetoviq. Sipas tij, përgjigjja e duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i Paunoviqit. Ndërkohë, reagim ka pasur edhe nga Komisioni Evropian.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se pas deklaratave të tilla “të tmerrshme”, nuk mund ta imagjinojë që Paunoviq të vazhdojë të mbetet ministre. Pas kësaj deklarate, autoritetet e Kosovës e kanë shpallur Snezhana Paunoviqin “non grata”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com