Konjuca i shkruan Kallasit për deklaratat e ministres serbe, kërkon

0%

Pesë ditë nga e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë, ka reaguar Glauk Konjufca, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Disaporës, duke i shkruar letër Kaja Kallasit, përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ministrja Paunoviq deklaroi në një intervistë televizive se po të kishte qenë në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët.” Sipas Konjufcës, deklarata e tilla përbëjnë lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo është thelbësisht e papajtueshme me vlerat europiane dhe me obligimet politike e juridike që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërsa kemi marrë parasysh deklaratat e mëvonshme nga Beogradi, të cilat e distancojnë Qeverinë e Serbisë nga këto komente, ne i shohim ato më shumë si deklarata formale sesa si pendesë të sinqertë dhe kuptimplotë.” – ka shkruar Konjufca. Ai vlerëson se një retorikë e tillë nga një ministre nuk mund të trajtohet si një “gafë e zakonshme”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.” – ka shtuar ai.

Konjufca ka shprehur shqetësimin e tij për reagimin e BE-së ndaj këtyre deklaratave, i cili thotë se erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës së Paunoviq. Kështu, ai ka kërkuar një reagim publik më të qartë dhe më të fuqishëm, pasi konsideron se është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e BE-së për parandalimin e krimeve të rënda, refuzimin e gjuhës së urrejtjes.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në mënyrë të palëkundur ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ne e refuzojmë spastrimin etnik dhe ndëshkimin kolektiv në të gjitha format e tyre.” – ka theksuar Konjufca.

Po ashtu, ai ka kërkuar që BE të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.

“[BE duhet] T’ua kujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian; ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet BE-së dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Europian i trajton incidentet e tilla.” – ka thënë Konjuca.

Në fund, ai i ka kërkuar Kallasit edhe mundësinë që këtë çështje ta trajtojnë sa më shpejt qoftë edhe përmes telefonit. Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.

Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike, raporton Koha.net .

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 korrik se deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë serbe, duke theksuar se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik. “Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme.

Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina.

Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova, më 14 korrik, e shpalli atë person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit. Një nga deputetet më të zëshme britanike për çështjet që lidhen me Kosovën, Alicia Kearns, e ka quajtur të turpshme deklaratën e ministres Snezhana Paunoviq.

Kearns, e ka quajtur këtë deklaratë njollë mbi Qeverinë e Serbisë. “Mbështetja e turpshme e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë është një njollë mbi Qeverinë e Serbisë. Njerëzit që sot janë në të tridhjetat e tyre i kujtojnë mizoritë që forcat e Millosheviqit kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre”- ka shkruajtur ajo në rrjetin social “X”.

Deputetja tha se nuk duhet të ekzistojë asnjë përpjekje për të justifikuar krimin që ndodhi në Kosovë. “Asnjë përpjekje për t’i justifikuar – apo, edhe më keq, për t’i lavdëruar – këto krime nuk mund ta bëjnë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë. Mos harroni kurrë”- ka përfunduar ajo.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.

“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës” – ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale. Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.

Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik. Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe. Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik.

Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Megjithatë, ajo nuk paralajmëroi ndonjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, por vetëm përsëriti se nuk ka vend për një retorikë të tillë.

Edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq. Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë. “Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik.

Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”- tha Kos në një konferencë për media. Deklaratës së saj i është kundëpërgjigjur ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës i Kosovës, Andin Hoti, duke thënë se kjo tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviqit rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli – teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Burimi: Kallxo