Policia e Sarandës vijon kërkimet për kapjen e autorëve të atentatit ndaj Thimjo Rubatit, i cili u qëllua me armë zjarri në qytet. Sipas të dhënave paraprake, pas ngjarjes autorët janë larguar me motor nga zona e rrugës “Mitat Hoxha” në drejtim të zonës së varrezave të qytetit, në lagjen e njohur si “Baba Rexhepi”, ku dyshohet se kanë humbur gjurmët.
Kjo zonë është periferike dhe më tej lidhet me një terren bregdetar të thepisur, çka po vështirëson edhe kërkimet e forcave të policisë. Përveç kontrolleve në terren, pritet që operacioni i kërkimit të shtrihet edhe në zonën detare, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Grupet hetimore vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
