Franca dhe Anglia do të përballen nesër në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës, e njohur si “finalja e vogël”, pasi të dyja ekipet u eliminuan në gjysmëfinale dhe humbën mundësinë për të luftuar për trofeun. Franca u mposht 2-0 nga Spanja, ndërsa Anglia u ndal nga Argjentina me rezultatin 2-1, duke parë t’i shuheshin ëndrrat, për të luajtur në finalen e madhe.
Për shumë futbollistë kjo sfidë nuk ka të njëjtën peshë emocionale si finalja, pasi objektivi i vetëm i madh për ekipet është fitimi i Kupës së Botës. Megjithatë, ndeshja për vendin e tretë mbetet një mundësi për ta mbyllur turneun me fitore dhe për të siguruar “medaljen e bronztë”. Për Francën kjo ndeshje ka edhe një domethënie të veçantë.
Do të jetë sfida e fundit e Didier Deschamps në stolin e “Les Bleus”, duke i dhënë fund një periudhe 14-vjeçare në krye të kombëtares. Gjatë drejtimit të tij, Franca fitoi Kupën e Botës në vitin 2018, luajti finalen e vitit 2022 dhe arriti tri gjysmëfinale radhazi në Botëror, duke u kthyer në një nga ekipet më të qëndrueshme të futbollit ndërkombëtar.
Edhe pse trajneri francez kishte shpresuar ta mbyllte aventurën me një tjetër titull botëror, lojtarët e tij kanë mundësinë t’i dhurojnë një fitore në ndeshjen e fundit në pankinën e Francës. Një tjetër motivim i madh për francezët është Kylian Mbappe. Kapiteni i Francës ka realizuar tetë gola në këtë Botëror dhe plot 20 gola në historinë e pjesëmarrjeve të tij në Kupën e Botës.
Ai vazhdon të jetë në garë për “Këpucën e Artë”. Aktualisht, Lionel Messi kryeson renditjen e golashënuesve me tetë gola dhe katër asistime, të cilat shërbejnë si kriter përcaktues në rast barazimi. Messi mban gjithashtu rekordin historik me 21 gola në Kupën e Botës.
Për Mbappen, ndeshja ndaj Anglisë përfaqëson mundësinë e fundit për të kaluar këtë shifër ose për t’iu afruar edhe më shumë rekordit. Nga ana tjetër, Anglia pritet të bëjë ndryshime në formacion, me trajnerin Thomas Tuchel që mund t’u japë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur më pak gjatë turneut.
Edhe Franca pritet të ndjekë të njëjtën strategji, duke aktivizuar disa lojtarë rezervë pas lodhjes fizike të shkaktuar nga gjysmëfinalet. Për futbollistët që nuk kanë pasur shumë minuta në këtë Botëror, “finalja e vogël” është një rast i rëndësishëm për të treguar vlerat e tyre dhe për të lënë një përshtypje pozitive para mbylljes së kompeticionit.
Përveç prestigjit sportiv dhe medaljes së bronztë, ndeshja ka edhe një vlerë financiare. Kombëtarja që do të përfundojë në vendin e tretë do të arkëtojë 29 milionë dollarë nga fondi i shpërblimeve të FIFA-s, ndërsa skuadra që renditet e katërta do të marrë 27 milionë dollarë. Diferenca prej 2 milionë dollarësh e bën këtë përballje të rëndësishme edhe nga ana ekonomike.
Megjithatë, ky duket thjesht ngushëllim, pasi nuk aritën dot në finale.
