Mbrojtësi i Francës, Ibrahima Konate, ka folur hapur para ndeshjes për vendin e tretë në Kupën e Botës, duke pranuar se objektivi i “Gjelave” ishte finalja dhe jo dueli për medaljen e bronztë. Në konferencën për media, Konaté u pajtua me deklaratën e trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, i cili kishte thënë se askush nuk dëshiron të luajë një ndeshje për vendin e tretë.
“Kam parë që Thomas Tuchel tha se askush nuk dëshiron ta luajë këtë ndeshje për vendin e tretë. Ai ka të drejtë, në kuptimin që ne donim të luanim finalen, jo këtë ndeshje” , deklaroi mbrojtësi francez. Megjithatë, futbollisti i Liverpoolit theksoi se Franca do ta marrë shumë seriozisht këtë përballje, pasi përfaqësimi i fanellës kombëtare mbetet një privilegj i madh.
“Por ne jemi krenarë që e veshim këtë fanellë, ndaj do ta luajmë këtë ndeshje me intensitet maksimal. Kemi një detyrë si lojtarë të Francës dhe shumë futbollistë do të kishin ëndërruar të ishin në vendin tonë”, përfundoi Konaté. Franca do të përballet me Anglinë në ndeshjen për vendin e tretë, ndërsa të dyja kombëtaret synojnë ta mbyllin Kupën e Botës me një fitore dhe medaljen e bronztë.
