Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë të pandehurve, të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohen se, përveç kësaj vepre penale, kanë kryer edhe veprat penale “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025, në Pejë, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, i cili kishte planifikuar vrasjen e një personi dhe plagosjen ose vrasjen e dy personave të tjerë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurve A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprat penale: · “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.” Gjithashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohen se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë kryer zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari, si dhe kanë ushtruar presion, detyrim dhe kërcënime ndaj personave të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurit A.H., i cili ndodhet në arrati. Po ashtu, është kërkuar vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, M.D. dhe L.D., si dhe konfiskimi i armëve dhe municionit të sekuestruar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
